VIDEO-SYRI TV/ Arrestohet një 49-vjeçar i armatosur në Fier, dyshime se mund të kryente vrasje

Policia e Fierit ka vënë në pranga një 49 vjeçar të cilin e konsideron me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa burime jo zyrtare konfirmuan dyshimet se nuk përjashtojnë pistën të ketë patur qëllim kryerjen e ndonjë krimi kundër jetës.

Bëhet fjalë për shtetasin Shpëtim Kanda, me identitet të ndryshuar, i cili qarkullonte i me pistoletë dhe një fishek në folënë e saj gati për qitje. Policia i sekuestroi armën, një krëhër me municion luftarak si dhe automjetin tip mercedez benz me të cilën lëvizte.

Blutë e Fierit ishin informuar në rrugë operative se Kanda po lëvizte i armatosur ndërsa u organizua dhe finalizua operacioni për kapjen e tij. Ky shtetas është arrestuar më parë për tre krime të rënda. Për herë tëe fundit atij iu vendosën prangat më 2 prill të vitit 2021, pasi u kap teksa lëvizte me armë të ftohta me vete.

Në tetor të vitit 2013 Kanda u akuzua se në bashkëpunim me shtetasin Arbër Mehmetin në vendin e quajtur “Transport Patos” kanë plagosur  dy të rinj vëllezër me njëri-tjetrin. Ende më i rëndë është krimi i kryer në vitin 2007 ku ekzekutoi me armë zjarri Arjan Dervishin në Durrës.

Shkak i ngjarjes në atë kohë, ishte gërvishtja e një makine, që nxiti konfliktin mes Kandas dhe Dervishit duke agravuar me përdorimin e armëve që i mori jetën këtij të fundit.

Babai i 2 fëmijëve po kthehej nga plazhi drejt banesës së tij kur u përplas me autorin teksa gërvishti makinën e këtij të fundit në një rrugicë të ngushtë. 

Në atë kohë, Kanda u largua nga vendi i ngjarjes, për tu arrestuar më pas, dhe dënuar. Pavarësisht veprës së rëndë penale, ai qëndroi vetëm 6 vite prapa hekurave duke fituar lirinë me kusht.