SYRI TV/ 'Pako e Madhe', qytetarët tërheqin shpërblimet. Pensionistët: 8 mijë lekë, të pamjaftueshme

Në fillim të muajit janar, ka filluar shpërndarja e mbështetjes financiare për shtresat në nevojë sipas “Pakos së Madhe”.

Një nga kategoritë përfituese janë pensionistët, të cilët do të marrin 8 mijë lekë të rinj.

Syri TV ka kryer një vëzhgim këtë të enjte në disa posta të kryeqytetit, ku ka pasur fluks të qytetarëve, kryesisht mosha të treta, që janë paraqitur për të tërhequr paratë.

Një pjesë e tyre shprehen se kjo vlerë është e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, ndërsa të tjerë thonë se çfarëdolloj vlere monetare është sadopak ndihmesë për ta.

Në disa posta janë vendosur lista emërore, ku individë të ndryshëm mund të marrin shpërblimin në ditë të caktuar. Kjo praktikë ka shkaktuar konfuzion tek pensionistët, të cilët kërkojnë në lista emrin e tyre.

Nga “Pakoja e Madhe” është lajmëruar se do të përfitojnë pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, punonjësit e shtetit, të policisë si dhe zjarrfikësit.