Dorëhiqet nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit/ E motra Viola Sterjo, iu arrestua për mashtrim

Nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Johan Sterjo ka dhënë dorëheqjen.

Ende nuk dihen arsyet e dorëheqjes së Sterjos, teksa Partia Demokratike, Dega Pogradec thotë se heqja e tij është me urdhër nga lart. 

Burimet për SYRI-n bëjnë me dije se dorëheqja është dorëzuar që në datë 30 dhjetor me motivacionin 'arsye familjare'. 

Johan Sterjo është vëllai i Viola Sterjos, e arrestuar një javë më parë nën akuzën e mashtrimit dhe përvetësimit të parave.

Kjo e fundit punonte si drejtoreshë e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës. Kanë qenë disa qytetarë nga Korça dhe Pogradeci që denoncuan Viola Sterjon të cilëve dyshohet se u ka marrë shuma të mëdha parash duke ju premtuar se do të ndikonte tek politikanë në Tiranë që ata të përfitonin financime nga AZHBR.

Dyshohet se Sterjo u ka marrë qytetarëve të ndryshëm shumë që variojnë nga 2.2 milion euro deri në 4.5 milion euro.

Gjykata e Korçës e la nën masën arrest me burg për mashtrim. 

Postimi i plotë i PD Porgradec:

“Dorëheqja” (me urdhër nga lart) nga posti i Nënkryetarit të Bashkisë Johan Sterjo, edhe pse veç administratës askush në këtë qytet nuk e njeh, është një lajm i mirë për qytetin.
Tani i mbetet të lirojë nga uzurpimi edhe Ujësjellësin e Pogradecit.
Gjithsesi, Sterjo është vetëm një nga problemet e qeverisjes lokale. Problemi më i madh do të largohet me ceremoni në 14 Maj.