I dërguari i Britanisë, lordi Peach, mbërrin në Kosovë, takim me Osmanin dhe Kurtin

Prishtinë -  I dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach po qëndron sot në Kosovë. Sipas njoftimit nga Presidenca dhe Qeveria, në orën 15:00, Lordi Peach do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa në ora 16:00 nga kryeministri Albin Kurti. Në dy takimet thuhet se mediat mund të marrin vetëm pamje.

Peach është i pari emisar evropian që takon përfaqësuesit e Kosovës menjëherë pas festave të fundvitit. Ardhje tij vjen në periudhën kur nga veriu i Kosovës u hoqën barrikadat e fundit të vendosura nga serbët, njofton RTK.

Gjatë pjesës së parë të këtij muaji, Ballkanin pritet ta vizitojë edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Sipas mediave serbe, ai me 11 ose 12 janar do të vizitojë Beogradin, ndërsa nuk është definuar data e vajtjes në Prishtinë.

“Besoj në krijimin e raporteve më të mira me Shtetet e Bashkuara. Të shohim se si do të shkojë. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë, por besoj se ne mund të flasim”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq gjatë një konference për media dje në Beograd.

Ndryshe Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për koronavirus.