SYRI TV/ Gati drafti nga qeveria, edhe ujësjellësit do të jepen me koncesion

Qeveria po bën gati projektligjin që edhe ujësjellësit të jepen me koncesion. Propozimi ishte hedhur prej kohësh për konsultim publik dhe së shpejti pritet të kalojë në Kuvend për diskutim e miratim. Edhe pse institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar për rrezikun nga koncesionet, qeveria nuk tërhiqet, duke dhënë me PPP edhe një tjetër sektor jetik për qytetarët

SYRI TV

Qeveria “Rama” parashikon që gjatë vitit 2023 të nisë procedurën e dhënies me koncesion të ndërmarrjeve të ujësjellësve, të cilat përbëjnë një ndër sektorët më jetikë të ekonomisë dhe shoqërisë.

Më 27 dhjetor, Këshilli i Ministrave ka miratuar “Programin e përgjithshëm analitik”, ku parashikohet ndër të tjera edhe dërgimi në parlament i projektligjit për “Për sektorin e furnizimit me ujë”.

Në këtë projekt-ligj parashikohet mundësia e dhënies me koncesion apo me Marrëveshje të Partneritetit Publik-Privat (PPP), të ndërmarrjeve të ujësjellësve.

Ideja fillestare për koncesionin e ujësjellësve është hedhur për herë të parë në nëntor të vitit 2019, kur qeveria hartoi një draft dhe e publikoi për Konsultim Publik.

Pas më shumë se tre vitesh, qeveria deklaron se projekt-ligji që parashikon dhënien me koncesion të ujësjellësve u vizitua nga 149 qytetarë dhe 183 ekspertë në faqen e internetit të Konsultimit Publik dhe nuk kishte komente apo sugjerime.

Ky informacion statistikor i përpunuar nga vetë qeveria e ka bindur Këshillin e Ministrave që të avancojë me projekt-ligjin e ri, të cilin pritet t’ia paraqesë parlamentit në vjeshtën e vitit 2023.

Sipas projekt-ligjit, dhënia me koncesion e ujësjellësve do të bëhet mbi bazën e studimeve të hollësishme të fizibilitetit, duke mbajtur në konsideratë faktin që monopoli i shërbimit të furnizimit me ujë të qytetarëve të mos ndikojë negativisht në jetën dhe financat e tyre.

Shprehje të ngjashme gjenden edhe në kontratat e tjera koncesionare, sidomos në ato të inceneratorëve. Por, situata me djegësit tashmë është e qartë, se e gjithë iniciativa e qeverisë u pasua me një skemë masive korruptive.

Nga ana tjetër, dhënia e koncesioneve të reja rrit riskun e mungesës së kontrollit të tyre.

Ministria e Financave, në një raport mbi ecurinë e koncesioneve për vitin 2021, pranoi se nga 228 kontrata PPP që janë në fuqi, qeveria ka pasur mundësi të monitorojë vetëm 65 prej tyre.