Raketa e lëshuar pa paralajmërim nga Koreja e Jugut shkakton frikë prej UFO-ve

Seul, Koreja e Jugut  - Ushtria e Koresë së Jugut pranoi se kishte testuar një raketë me lëndë djegëse të premten, sepse lëshimi i saj  pa paralajmërim, shkaktoi frikë tek qytetarët se mos ishte ndonjë UFO ose rakete e lëshuar nga Koreja e Veriut.

Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë se lëshimi i raketës ishte në kuadrin e përpjekjeve të saj për të krijuar aftësi vëzhgimi në hapësirë dhe për të forcuar qëndrimin e saj mbrojtës.

Mbrojtja tha se nuk e njoftoi paraprakisht publikun e gjerë për lëshimin e saj për shkak të çështjeve delikate të sigurisë ushtarake.

Një gulsh avulli i përdredhur i bardhë në të kuqe mund të shihet duke gjarpëruar pas një drite të bardhë të ndritshme në qiellin e Koresë së Jugut të premten në mbrëmje. 
Mediat sociale dhe faqet e internetit të Koresë së Jugut u mbushën me mesazhe nga qytetarët të cilët thanë se panë një objekt fluturues, gjurmë avulli me ngjyrë ylberi ose drita të tjera misterioze. Disa kanë postuar edhe foto dhe video.

"Çfarë është kjo? A është kjo një UFO? Kam frikë, "tha një përdorues i Tëitter. 

Një tjetër tha se ata dyshonin se ishte një lëshim rakete i Koresë së Veriut dhe ishin të shqetësuar për një shpërthim lufte. 

Të tjerë dyshuan se ishte një shfaqje drite me dron ose një fenomen i mbinatyrshëm.

Zyrat e urgjencës dhe policia e Koresë së Jugut morën qindra raporte të qytetarëve për dëshmitarë të një objekti të dyshimtë fluturues dhe dritave misterioze në të gjithë vendin, sipas mediave lokale.

Lëshimi i raketës nga Koreja e Jugut erdhi katër ditë pasi ajo akuzoi Veriun për lëshimin e pesë dronëve mbi kufirin e saj të hënën, hera e parë në pesë vjet. 
Ushtria e Koresë së Jugut i zbuloi dronët, por nuk arriti t'i rrëzojë ata, çka shkaktoi shqetësim për sigurinë e rrjetit të saj të mbrojtjes ajrore. Ushtria më vonë bëri një ndjesë për këtë, gjë e rrallë kjo.
Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se planifikojnë të përdorin një raketë  me lëndë djegëse të ngurtë për të vënë në orbitë satelitin e parë spiun të vendit. Në mars, Koreja e Jugut kreu lëshimin e saj të parë të suksesshëm të një rakete të tillë.

Raketat me karburant të ngurtë reduktojnë kohën e lëshimit, kanë struktura më të thjeshta dhe janë më të lira për t'u zhvilluar dhe prodhuar sesa raketat me lëndë djegëse të lëngët, thanë zyrtarët e Koresë së Jugut.

Ministria e Mbrojtjes tha se lëshimi i saj të premten ishte një provë në vazhdim e asaj të muajit mars. 

Koreja e Veriut po nxiton gjithashtu të zhvillojë satelitin e saj të parë ushtarak të mbikqyrjes dhe sisteme të tjera armësh të teknologjisë së lartë për të përballuar atë që ajo e quan armiqësi të SHBA. Në fillim të këtij viti, Koreja e Veriut kreu një numër rekord të testeve raketore në atë që ekspertët e quajnë një përpjekje për të përsosur teknologjinë e saj të armëve bërthamore dhe për të rritur ndikimin e saj në marrëdhëniet e ardhshme me Shtetet e Bashkuara.