Detajet/ Ekzekutori i biznesmenit dyshohet se është larguar ilegalisht

Andrew Bode, i njohur edhe me emrin Edvin, i dyshuari si ekzekutor i Edmond Papës, zyrtarisht me sistemin TIMS rezulton të ndodhet brenda territorit shqiptar.

Burime për Syri TV bëjnë me dije nga grupi hetimor se nga të dhënat që kanë marrë, dyshohet se 44-vjeçari me origjinë nga Berati mund të jetë larguar në mënyrë ilegale jashtë vendit.

Dyshimet janë se Bode mund të jetë larguar drejt Greqisë, dhe më pas tranzit drejt vendeve të tjera.

Ai është person me precedent penalë për drogë, por asnjëherë nuk është dënuar me vendim gjykate.

Ndërkohë ai njihej edhe si biznesmen.

Mbi dyshimin se një nga autorët e vrasjes së Papës ndodhej në Greqi, një grup hetimor iu drejtua vendit fqinj për të bashkëpunuar në hetime.

Deri më tani, 44-vjeçari Bode nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo pasi policia është në pritje që gjykata të caktojë masën e sigurisë 'arrest me burg në mungesë'. Pas vendimit, nëpërmjet Interpolit, emri dhe foto e Bodes u dërgohet agjencive dhe partnerëve të huaj për arrestimin e 44-vjeçarit.

Nga ana tjetër hetuesit kanë marrë në pyetje edhe babanë e Albano Velos, Dilaver Velo. Ky i fundit ishte oficer policie në komisariatin 4 dhe u pezullua nga detyra pas arrestimit të të birit si organizator në vrasjen e Papës.

Dilaver Velo ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për implikimin e të birit në ngjarje.

Por AMP ka nisur verifikimet për të verifikuar nëse i ati ka favorizuar Albano Velon për ta larguar nga Shqipëria.

Gjithashtu të njëjtat burime bëjnë me dije se janë verifikuar tabulatet telefonike të Albano Velos, që kanë vërtetuar dyshimet e policisë që ditën e krimit, më 16 dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes, ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u vra Papa.