Pamjet e shtëpisë së 'Kobrës'/ Analiza: Shteti dështoi me Dibran Hoxhën

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar të enjten analizën “Dështimi i shtetit ndaj 'Kobrës'":, ku thuhet se Dibran Hoxhaj, i dyshuar për vrasjen e 31-vjeçarit Visart Cengu ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë, ndërsa të gjitha ishin dënime me kusht e me gjobë dhe në asnjë prej aktgjykimeve nuk ishte dënuar me burgim efektiv.

“Ndër veprat për të cilat është dënuar më shumë se dy herë është vepra penale e armëmbajtjes pa leje. Por, se këto dënime nuk do ta ndalonin të njëjtin që të posedonte sërish armë, dhe të kryente vepër penale më të rëndë, si ajo e privimit nga jeta të një personi, ashtu siç po dyshon Prokuroria Themelore në Prizren”, thuhet në analizën e IKD-së.

Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, hoxhaj nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist.

Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxha, dënueshmëria sipas ligjit shkon deri në 10 vite burgim.

“Sipas IKD-së, rasti ‘Kobra’ është rast i pakontestueshëm dhe shembull, në të cilin sistemi i drejtësisë ka dështuar të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, e njëherësh ka dështuar të mbrojë shoqërinë nga një kryes i veprave penale, përmes politikave ndëshkimore joadekuate, respektivisht përmes dënimeve me gjobë e me kusht të një pas njëshme, me ç’rast si rezultat i mosveprimeve në rehabilitimin e një kryesi recidivist të veprave penale nga ana e sistemit të drejtësisë, një person është privuar nga jeta”, thuhet më tej.

IKD thekson në këtë analizë se situata të tilla, do të duhej të ishin alarmante, në drejtim të mbajtjes përgjegjës të gjithë personave zyrtar, të cilët me mosveprimin apo veprimin e tyre, nuk i përmbushin obligimet dhe përgjegjësitë e tyre që burojnë nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe atribuojnë në një klimë, ku persona me të kaluar voluminoze kriminale gjenden në liri dhe me lehtësi promovojnë krimin dhe kryejnë vepra penale.

"Institucionet kanë zgjedhur të heshtin dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në gjetjen e përgjegjësve në këtë hallkë dështimi të institucioneve”, thuhet në analizë.

Ndërsa janë publikuar edhe pamje nga shtëpia e Dibran Hoxhës, e cila u bastis nga policia. Nga pamje mund të verehet se nofka “Kobra” është shkruar në mure.