Ushtria e Ukrainës thotë se ka vrarë 800 ushtarë rusë ditën e djeshme

Ushtria e Ukrainës ka vlerësuar se 800 ushtarë rusë u vranë ditën e djeshme, kryesisht në luftimet që po bëhen në rajonin lindor të Donetskut, ndërkohë që aleatët perëndimorë premtuan furnizime me automjete të blinduara luftarake, por jo tanket që dëshiron Ukraina.

Në përmbledhjen e përditshme të luftimeve që jepet në mëngjes, ushtria e Ukrainës tha të enjten se forcat ruse ishin të përqendruara në një ofensivë në sektorin Bakhmut dhe sulmet e saj në sektorët Avdiivka dhe Kupiansk kishin qënë të pasuksesshme.

Ushtria tha se më shumë se 800 ushtarë rusë u vranë dhe një avion, një helikopter dhe tre tanke u shkatërruan gjatë ditës që shkoi.

Gjithashtu raportoi për një numër të paspecifikuar viktimash civile si rezultat i sulmeve ajrore, raketore në qytetin kryesisht të rrënuar, të kontrolluar nga Ukraina, Bakhmut si dhe dy qytete të tjera në rajonin e Donetsk - Kostiantynivka dhe Kurakhove.

Rusia nuk pranoi se kishte vënë në shënjestër civilët në atë që e quan "operacioni i saj special ushtarak" në Ukrainë.

Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këto llogari nga fusha e betejës.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane dha të mërkurën një vlerësim të matur të luftimeve në rajonin e Donetsk, veçanërisht rreth Bakhmutit.

"Lufta është ende mjaft e nxehtë ... atë që po shohim në Bakhmut duhet të presim ta shohim dhe diku tjetër përgjatë frontit, se do të ketë luftime të vazhdueshme në muajt e ardhshëm," tha zyrtari.

Në fjalimin e tij me video të mbrëmjes, Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se trupat ukrainase jashtë Bakhmut po u shkaktonin humbje të shumta kundërshtarëve të tyre dhe Rusia po i organizonte forcat e saj në rajon.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, duke cituar drejtorinë kryesore të shërbimit sekret të ministrisë së saj, shkroi në aplikacionin Telegram se humbjet e konsiderueshme për Rusinë nënkuptonin se  kishte të ngjarë që Rusia të shpallte një mobilizim tjetër të pjesshëm në tremujorin e parë të vitit.

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha Zelenskiy-t se Franca do të dërgonte automjete të lehta luftarake AMX-10 RC për të ndihmuar, tha një zyrtar francez të mërkurën pasi të dy udhëheqësit folën me telefon.

Ndërsa zyrtari tha se këto do të ishin automjetet e para të blinduara perëndimore të dorëzuara në Ukrainë, Australia i ka dhënë Kievit 90 nga automjetet e saj Bushmaster, një njësi të blinduar kundër minave tokësore dhe kërcënimeve të tjera.

Presidenti Joe Biden tha më vonë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po shqyrtonin dërgimin e automjeteve luftarake Bradley në Ukrainë, e cila gjendet në konfliktin më të madh tokësor të Evropës që nga viti 1945.

Qytetet janë shkatërruar, miliona njerëz janë zhvendosur dhe dhjetëra mijëra janë vrarë që nga pushtimi rus në shkurt.

Automjeti i blinduar Bradley, i cili ka një armë të fuqishme, ka qenë një element kryesor i ushtrisë amerikane për të transportuar trupa që nga mesi i viteve 1980. Ushtria amerikane ka mijëra prej tyre dhe ato do t'i jepnin Ukrainës më shumë fuqi zjarri në fushën e betejës dhe do të forconin aftësinë e saj në luftën e llogoreve.

Vendimi i Biden, megjithatë, ishte se nuk do të dërgonte tanket Abrams që Ukraina ka kërkuar. Ajo ka kërkuar vazhdimisht nga aleatët perëndimorë mjete luftarake më të rënda, si tanket "Abrams" dhe "Leopard" të prodhimit gjerman.

Zelenskiy falënderoi Macron për njoftimin dhe tha se ai tregon nevojën që aleatët e tjerë të ofrojnë armë më të rënda.

"Kjo është diçka që dërgon një sinjal të qartë për të gjithë partnerët tanë. Nuk ka asnjë arsye racionale pse Ukraina nuk është furnizuar ende me tanke perëndimore," tha ai.