Djali i përfshirë në vrasjen e Papës/ Prokuroria nis hetimet për policin

Dilaver Velo, babai i Alban Velos, i cili është arrestuar si organizator për vrasjen e Edmond Papës më 16 dhjetor, do hetohet Prokuroria e Tiranës.

Institucioni i akuzës do kryejë verifikime për efektivin e komisariatit nr.4 nëse ka pasur dijeni për aktivitetin e të birit apo jo, dhe nëse i ka lehtësuar kushtet për t'u larguar nga vendi pas vrasjes.

Përveç Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila po kryen hetime administrativë ndaj efektivit tashmë të pezulluar, prokuroria e kryeqytetit do kryejë veprime hetimore mbi rolin që ai ka luajtuar në aktivitetin kriminal të të birit.

Gjithashtu akuza do kryejë hetim të thelluar edhe për burimin e të ardhurave të familjes Velo, ku Albano, i dyshuar si organizatori i Papës, shihet në rrjete sociale, duke publikuar foto me shuma të majme parash. 30-vjeçari i akuzuar për vrasje me paramendim, ka mohuar akuzat përpara grupit hetimor. Si alibi, për mohimin e akuzave të prokurorisë se ka mbajtur në vëzhgim Papën, i riu ka deklaruar se ai kishte ardhur në vendin tonë dy ditë përpara atentatit, pasi ka qenë në Itali.

Referuar sistemit TIMS, Albano Velo ka dalë nga territori në datë 10 dhjetor, ku ka shkuar në Firence. Në vendin fqinj ai ka ndenjur vetëm 4 ditë, pasi më datë 14 dhjetor ka hyrë në Shqipëri, nga aeroporti i Rinasit.

Por, përveç kamerave të sigurisë që rrëzojmë alibine e të riut, një tjetër provë e fortë e prokurorisë janë edhe qelizat telefonike. Nga analizimi i tyre rezulton se prej orës 14:00 e deri në orën 16:35, kur edhe ndodhi ngjarja, i riu ka qenë në zonën e Selitës.