‘Në gjunjë, në gjunjë!’/ Del videoja e arrestimit të Andi Alushit, mbante të lidhur dhe torturonte dy shqiptarë

Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinskas, janë dënuar nga Gjykata e Sheffield në Britani me 19 vite e 6 muaj burg pasi akuzohen se rrëmbyen e keqtrajtuan dy shtetas shqiptarë për rreth 10 ditë.

Ndërkohë, është publikuar edhe videoja nga momenti kur policia angleze kryen operacionin në një banesë në Sheffield, ku edhe vendosi në pranga Andi Alushin dhe Valdemaras Kasinskas të cilët kishin rrëmbyer dy shqiptarë.

Në video shihet momenti kur policia nxjerr nga banesa gjysmë të zhveshur shqiptarin Andi Alushi, ndërsa gjithë kohës dëgjohet teksa i bërtasin 27-vjeçarit shqiptar që të ulet: ‘Në gjunjë, në gjunjë’!

Videoja është xhiruar në maj kur edhe ndodhi arrestimi, por vetëm sot është bërë e mundur lidhja me ngjarjen dhe arsyen e prangosjes.

Si shqiptari, ashtu edhe lituanezi kishin marrë peng dhe kishin dhunuar dy shqiptarë të identifikuar vetëm me iniciale: E. R. dhe O. L.

Ata i kishin rrahur, djegur dhe i detyronin që të hanin nga tasat e qenve pengjet e tyre.

Videot ua dërgonin familjarëve në Shqipëri dhe u kërkonin para për t’i liruar.

Alushi dhe Kasinskas janë anëtarë të një bande, dhe u dënuan dje nga Gjykata britanike me 19 vite e 6 muaj burg pasi akuzohen për vepra penale “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës në “shtëpitë e barit”.

Për çështjen sot u njoftua se po heton edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.