VIDEO-SYRI TV/ Aksidenti me tre viktima: Makina ‘Benz’ u nda më dysh

Përgjaket aksi Fushë Bulqizë-Shupenzë. Përplasja e dy mjeteve ka qenë fatale, duke shënuar 3 viktima dhe 4 të plagosur. Viktimat janë nga e njëjta familje, ndërkohë të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në spital. Shkak dyshohet se është bërë shpejtësia e madhe e lëvizjes së mjeteve, si dhe mungesa e sinjalistikës

SYRI TV

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mbrëmjen e kaluar në Rrugën e Arbrit.

Përplasja e dy automjeteve ka qënë fatale për 3 pjesëtarë të së njëjtës familje, ndërsa të plagosur kanë mbetur dhe 4 të tjerë.

Viktimat janë Kujtim Istrefi, Murat Istrefi dhe Lulzime Istrefi, ndërsa të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri, 25 vjeç, Edison Lazri 20 vjeç, Kadrie Markeçi dhe Firuze Istrefi, 56 vjeç.

Aksidenti fatal ka ndodhur rreth orës 18:15, në aksin rrugor Fushë Bulqizë-Shupenzë, në vendin e quajtur ‘Ura e Gjoricës’.

Nga pamjet e SYRI TV shihet se përplasja ndërmjet makinës tip ‘Benz 240’ dhe mjetit tip ‘BMW’ ka qenë shumë e fortë, aq sa ‘Benzi 240’ është ndarë më dysh. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar 2 ambulanca, një zjarrfikëse dhe policia.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti ku dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e madhe dhe një parakalim i gabuar i një prej mjeteve.

Ndërkohë segmenti ku ka ndodhur aksidenti është problematik pasi nuk ka asnjë kufizim të shpejtësisë, ka mungesë sinjalistike si dhe mungesë ndriçimi.

Kujtojmë se në natën e ndërrimit të viteve, po në aksin Bulqizë-Maqellarë, shumë pranë vendit ku të këtij aksidenti, ndërroi jetë edhe 24-vjeçari Yllson Tasha.