Ortodoksia, Patriarku Bartolomeu I: I përjetshëm qoftë kujtimi i Benediktit XVI!

Edhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës shprehu ngushëllime dhe e kujtoi Papën e Nderit Benediktin XVI, njoftoi Vatikani.

“Dëshiroj të them fjalë kujtimi me respekt, dashuri dhe mirënjohje për Shenjtërinë e Tij Papën Benediktin XVI, që këtyre ditëve u nda nga jeta, i cili zyrtarisht e ka vizituar Patriarkanën tonë Ekumenike në fillim të shërbesës së tij papnore. Këtu kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët. Kemi punuar së bashku shumë herë", tha  Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu I duke e kujtuar Papën e Nderit Benediktin XVI.

“Benedikti XVI ishte një teolog i madh, për disa vite profesor universiteti, kishte edhe studentë ortodoksë – kujtoi Patriarku i Kostandinopojës – dhe e dëgjova vetë Benediktin të thoshte se e njohu më mirë Ortodoksinë falë studentëve të tij ortodoksë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”. “Ai pati forcën dhe guximin të jepte dorëheqjen vetëm tetë vjet pas zgjedhjes së tij si Ipeshëv i Romës. Në varrimin e tij, i cili do të bëhet të enjten e ardhshme, Patriarkana jonë Ekumenike do të përfaqësohet nga Hirësia e Tij Mitropoliti Emanuel dhe Hirësia e Tij Mitropoliti Polikarpos. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, tha Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu.