Në 1802, funerali i fundit i një Pape, i kremtuar nga pasardhësi i tij

Ajo që do të ndodhë sot në Sheshin e Shën Pjetrit, na kujton atë që pati ndodhur me Piun VI, i cili vdiq në mërgim, në Valencë, më 1799 si i burgosur i Napoleonit. Kështu funerali solemn i tij u kremtua nga Papa Piu VII, kur eshtrat u kthyen në Romë, tri vjet më vonë, njofton Vatikani.

Një Papë që kremton funeralin e paraardhësit të tij: ajo që do të ndodhë orët e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit me Françeskun që kryeson funeralin e Benediktit XVI, po paraqitet si ngjarje e pashoqe në historinë e Kishës në epokën moderne. Dorëheqja e Papës Ratzinger ishte sigurisht e pashoqe, e përligjur nga arsyet e moshës si dhe nga mungesa e forcës fizike e mendore për të mbajtur barrën e përgjegjësive dhe të angazhimeve, që lidhen me papninë. Por që një Papë në detyrë bekon trupin e paraardhësit të tij përpara varrimit, nuk është fakt i pashoq: e ka një  funeral të ngjashëm, nëse shfletojmë për ca çaste historinë 2000-vjeçare të Kishës.

Funerali i Piut VII

Ngjarja ndodhi në shkurtin e vitit 1802, me funeralin solemn të Piut VI, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit nga pasardhësi i tij, Piu VII. I ndjeri, i lindur Giannangelo Braschi (Cesena 1717 - Valence 1799), u zgjodh papë më 1775 e, pas një papnimi të gjatë, vdiq në mërgim, në Francë, i burgosur nga Napoleoni. Varrimi u bë në Valence, menjëherë pas vdekjes së tij, ndërsa "nëntëditëshi" (nëntë ditët e meshëve për shpirtin e tij para fillimit të votimit në konklav) u kremtuan në Venedik, në qytetin ku ishin mbledhur kardinajtë për të zgjedhur pasardhësin

Piu VII, i zgjedhur më 14 mars 1800, donte që eshtrat e paraardhësit të tij të ktheheshin në Romë. Kështu eshtrat e Piut VI u zhvarrosën në dhjetor 1801, udhëtuan nga Valence në Marsejë dhe, prej andej, me anije, në Genova. Sapo u zbarkua në Itali trupi i Papës mërgimtar për së vdekuri, në atmen e tij nisi një salikim ngadhënjyes, me kremtime solemne të kremtuara në çdo ndalesë. Më 17 shkurt 1802 u bë "hyrja madhështore triumfale në Romë", ndërsa kardinajtë i prisnin eshtrat në Ponte Milvio. Ceremonia solemne e varrimit u kremtua në Shën Pjetër, nga Papa Piu VII.

Por eshtrat e Piut VI nuk pushuan në paqe: zemra dhe disa organe të tjera të Piut VI u mbartën në Valencë, me kërkesë të qeverisë së Parisit. Atëhere Papa i vdekur rinisi shtegtimin e gjatë të kthimit me një mori etapsh, në Francë, më 1802. Por në vitin 1811 zemra e tij u kthye përsëri në Romë.