VIDEO/ 3 të vdekur nga një familje! Kush janë viktimat e aksidentit tragjik në Rrugën e Arbrit

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Rrugën e Arbrit. Ngjarja ndodhi në afërsi të Urës së Çerenecit.

Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, kanë humbur jetën 3 persona, anëtarë të një familje dhe kanë mbetur të plagosur katër të tjerë.

Mësohet se dy prej viktimave janë identifikuar si Kujtim dhe Murat Istrefi, vëllezër, nga Maqellara. Viktimë e aksidentit ka mbetur edhe një grua, Lulzime Istrefi. 

Të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri 25 vjeç, Edison Lazri 20 vjeç, Kadrie Markeçi dhe Firuze Istrefi 56 vjeç. 

Këta të fundit ndodhen në spitalin e Peshkopisë dhe mësohet se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. 

Krahas policisë dhe dy autoambulancave, në vendin e ngjarjes mbërriti edhe shërbimi zjarrfikës që bëri të mundur nxjerren e viktimave nga njëri prej automjeteve të aksidentuara. 

Siç duket nga pamjet që ka siguruar Syri.net, makinat e përfshira në aksident kanë pësuar dëmtime, teksa njëra prej tyre, ku udhëtonin viktimat, pothuajse është shkatërruar. 

 

Njoftimi i Policisë

Bulqizë / Informacion paraprak

Rreth orës 18:15, në aksin rrugor Fushë Bulqizë-Shupenzë, në vendin e quajtur 'Ura e Gjoricës',  janë përfshirë në një aksident rrugor 2 automjete dhe për pasojë kanë humbur jetën në vendngjarje shtetasit K.I., dhe M.I. si dhe ka humbur jetën në spital shtetasja L.I. 

Gjithashtu janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital shtetaset  F.I., K.M., dhe shtetasit M.L., E.L.,  pasagjer në automjete.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes po punon zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.