‘Vuçiçi duhet ta paguajë çmimin e politikës së tij’/ Editoriali në Gjermani ‘tërbon’ Beogradin

Një shkrim me tone të ashpra në një prej revistave më të rëndësishme gjermane, ‘Die Zeit’ ka shkaktuar jo pak zemërim në qarqet pro-qeveritare në Beograd.

Editorial i autorit Ulrich Ladurner titullohet: “Ashpërsia ndaj Serbisë është e vonuar”.

Autori bën thirrje që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të paguajë çmimin e politikave të tij, duke kërkuar që BE të tregohet e ashpër ndaj tij.

“BE-ja ka bërë sehir për një kohë të gjatë, teksa Aleksandër Vuçiç minonte demokracinë dhe kërcënonte stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti serb reagon vetëm ndaj presionit,” shkruan gazetari.

Presidenti i Serbisë udhëheq një politikë që dëmton BE-në, rajonin dhe vetë serbët, shkruan ‘Zeit’. Në koment thuhet se statusi i kandidatit dhe fondet duhet të ngrihen derisa të vendosen sanksionet kundër Rusisë dhe të fillojnë negociatat serioze me Kosovën.

Para Vitit të Ri rrezikohej një “konflikt ushtarak” mes Serbisë dhe Kosovës, por situata u qetësua, shkruan ‘Zeit’: “Është vetëm çështje kohe që tensionet të intensifikohen sërish”.

“Kur flasim për shkaqet, shpesh futemi në detaje të politikës ballkanike, targa, dokumente personale dhe banalitete të tjera. Është një shpërqendrim, një tym për të fshehur thelbin. Dhe në fund të fundit është gabimi dramatik i BE-së në këtë rajon”.

“Për vite, BE-ja ka ndjekur një politikë që mund të përmblidhet si më poshtë: Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor. Pa Serbinë nuk ka stabilitet rajonal. Nëse anëtarësohet në Bashkimin Evropian, do të tërheqë me forcë pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ne përpiqemi për marrëdhënie të mira me atë vend, pavarësisht se kush sundon në Beograd”, thuhet në shkrim.

“Pasoja është se BE-ja për vite me radhë ka parë në heshtje se si Vuçiçi minon sistematikisht demokracinë e brishtë serbe, dobëson shoqërinë civile, nënshtron shtypin, margjinalizon opozitën dhe kështu bëhet efektivisht një autokrat”.

Në komentin e tij, Ladurner shton se Vuçiç u hodh në këmbët e presidentit kinez Xi “si një lake” në fillim të pandemisë dhe “si një i tërbuar” u lëshua kundër BE-së. Gjithashtu thuhet se Vuçiç ende refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Këtu është gjëja më e rëndësishme: Është Vuçiçi ai që po e nxeh konfliktin me Kosovën vazhdimisht për të nxjerrë kapital politik prej saj. Është një lojë transparente, e rrezikshme. Duke vepruar kështu, ai jo vetëm rrezikon konflikte të dhunshme, por bllokon edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Duke pasur parasysh listën e gjatë të mëkateve, ia vlen të kujtojmë edhe një herë: Serbia është kandidate për në BE. Dhe presidenti i atij vendi udhëheq me vetëdije një politikë që dëmton BE-në, rajonin dhe vetë serbët. Kësaj duhet t’i jepet fund”.

“Ndëshkimi i Serbisë – sigurisht që tingëllon i ashpër dhe keqdashës. Por BE-ja në veçanti mësoi vitin e kaluar, dhe jo me vullnetin e saj, se do të merret seriozisht vetëm nëse është e ashpër dhe e gatshme për të shkaktuar dhimbje te të tjerët.”

“Vendosmëria ndaj Rusisë, vendosmëria ndaj Kinës, por edhe vendosmëria ndaj Hungarisë anëtare të BE-së – kjo është pjesë e maturimit të nevojshëm gjeopolitik të Bashkimit. Është koha për vendosmëri ndaj Serbisë".

"Nuk bëhet fjalë për dënimin e Serbisë, por për Aleksandër Vuçiçin që duhet të paguajë çmimin e politikës së tij. Nëse nuk i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, nëse nuk ndalon së nxituri konfliktin me Kosovën, nëse nuk ulet për të filluar negociatat serioze me Kosovën, atëherë statusi i kandidatit të Serbisë duhet të ngrihet dhe ndihma financiare nga BE duhet të përfundojë”.

“Nëse një kërcënim i tillë paraqitet në mënyrë të besueshme, Vuçiç shpejt do të zbutet. Dhe vetëm atëherë vendi ka një shans për të arritur atje ku i takon: në Bashkimin Evropian”, përfundon komenti.