Satelitët/ Bledian Koka: Vendimi më banal i qeverisë, 7.5 mln € mund të investoheshin për nevojat e vendit

Gazetari Bledjan Koka i ftuar në “Task Force” me Sonila Meccon në Syri Tv ka komentuar ngritjen në orbitë të dy satelitëve nga qeveria me kosto rreth 7.5 milion euro. 

Koka tha se ky është vendimi më banal ndonjëherë i marrë nga qeveria pasi me këtë shumë parash mund të investonin në avionë urgjence apo shumë mungesa të tjera për të cilat ka nevojë vendi. 

Gjithashtu për rastin e ndërtimeve pa leje Koka shprehet se qeveria vë pas hekurave njerëzit e thjeshtë e të varfër ndërsa oligarkët i amnistojnë  dhe u japin mundësi që ta legalizojnë banesën e tyre

"Nëqoftëse shqiptarët janë të lumtur të paguajnë të paktën 7.5 milion euro, sipas një informacioni që kemi nga kontrata paraprake që kemi në dorë në keto momente  për një shërbim i cili do të duhet në radhë të parë të numërojë pemët që ne i kemi të mbjella, do të duhet të shohim territoret që janë djegur  dhe do të duhet të numërojmë pallatet dhe katet që ndërtohen pa leje që nuk i sheh dot qeveria nga toka por duhet ti shohi syri i satelitit në qiell. Po ta shikoni praktikisht është një banalitet i madh, është një një shpërdorim i madh parash, ndërkohë që me këto para mund të blinim një avion ‘canadair’ dhe jo të kishim satelitin në qiell vetëm për të parë sesa na është djegur toka. Shteti është kaq vigjilent saqë edhe një kasolle apo një kolibe që ndërton një noke në Vlorë (referuar rastit të moshuarës në Vlorë që u arrestua për ndërtimin e një koteci)  apo edhe një familje e këputur në Elbasan  që kërkon shtëpinë pasi ka kërkuar lejen me parat e veta pa ndihmën e shtetit, edhe ky futet në burg dhe shoqërohet nga policia. Pra, këtu kemi raste që kur shteti dëshiron ta zërë “lepurin në qerre” dhe më pas kur i dalin disa kate pa leje në mes të Tiranës, për këtë duhet të paguajë  7.5 milion dollarë të paktën. Pasi i shohim këto nga lartë i bëjmë disa VKM.  Për familjen e këputur në Elbasan e rrasim kokërr të burgut, kurse oligarkët dhe ndërtuesit pa leje i amnistojnë  dhe u japin mundësi që ta legalizojnë banesën e tyre", tha ai.