Zbardhen detajet e ngjarjes – Si e vrau 'Kobra' kuksianin në parkingun e lokalit të tij

Gjykata Themelore në Prizren caktoi sot masën e paraburgimit prej 1 muaj ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe pesë personave tjerë, lidhur me vrasjen që ndodhi të martën në Prizren, ku një person ka mbetur i vrarë e një tjetër i plagosur.

Në njoftimin gjykatës bëhen të ditura rrethanat e rastit tragjik.

E tërë ngjarja kishte ndodhur në parkingun e lokalit “Kobra City”, përgjatë autostradës Prizren-Zhur.

Aty, Dibran Hoxhaj, ose Kobra, ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të tre të rinjve nga Kukësi, Visart Cengu, Rufgen Shehu dhe Arben Basha. 

31-vjeçari Cengu ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Rufgen Shehu mbeti i plagosur. Nga ngjarja doli i pa lënduar Arben Basha. 

Detajet e ngjarjes
“I pandehuri Dibran Hoxhaj më 3 janar rreth orës 04:00 e mëngjesit, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren – Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën Visart Cengun, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit Rufgen Shehu, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e dëmtuarit A.B., që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ky është vendim i gjykatës për vëllain e Kobrës, Enver Amrllahin

Tutje, thuhet se për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, përleshja kishte nisur në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City” me të dëmtuarit. Më pas, Hoxhaj në parkingun e lokalit e kishte kryer aktin.

“Pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën me targa angleze, për tu larguar, në parkingun e lokalit paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin Visart Cengu, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe Rufgen Shehu, i cili kishte qenë në ulësen e përparme. Si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri Visart Cengu, ndërron jetë rrugës për në spital të Kukësit, derisa Rufgen Shehu nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”.

I pandehuri Dibran Hoxhaj në posedim ka pasur një armë zjarri deri më tani e tipit të panjohur me të cilën dyshohet se ka kryer aktin.