'Vdekje e dyshimtë'/ Gjendet një grua e pajetë në Prishtinë

Një grua është gjetur e pajetë ditën e sotme në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha për Gazetën Express se kjo ngjarje ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta.

Ajo tha se prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes dhe pas ekzaminimeve aty, trupi i pajetë i viktimës do të dërgohet në IML për t’i bërë autopsinë dhe për t’ju nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.

“Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Është gjetur një trup pa shenja jete (femër). Sipas infomatave fillestare nga vendi i ngjarjes rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta, mirëpo Prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore per t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Pas ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes, trupi i pajetë do të dërgohet në IML për obduksion”, tha Ulaj.

Zëdhënësja e policisë së Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se policia është informuar për këtë ngjarje rreth orës 13:00 të ditës së sotme.

“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar, të shtrirë në afërsi të një objekti në  rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit (femër). Aktualisht policia po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.