SYRI TV/ Punonjëset e fasonerisë në Bilisht në protestë, kërkojnë paga dhe kushte më të mira pune

150 punonjëse të një fasonerie në qytetin e Bilishtit janë ngritur në protestë këtë të mërkur.

Shkak është bërë pushimi nga puna i kryetares së Sindikatës të pavarur të kësaj fasonerie, e cila sipas punonjëseve ka kërkuar të drejtat e tyre të munguara.

Një pjesë e punonjëseve kanë bërë me dije se nuk u paguhen sigurimet shoqërore, ndërkohë që kushtet e punës nuk janë aspak të përshtatshme.

Edhe kryetarja e sindikatës së kësaj fasonerie Mira Mullai, ka pranuar se pushimi i saj ka ardhur për shkak të kërkesave të vazhdueshme që ka bërë në mbështetje të kërkesave të punonjëseve.

Kryetarja e sindikatës ka shkuar më tej kur tha se nga takimi i një viti më parë me ministren e linjës dhe deri tani, pak gjëra kanë ndryshuar në kushtet financiare dhe kushtet e punës.

I kontaktuar, pronari i kësaj fasonerie Fatjon Shega, pranoi heqjen e saj nga puna duke respektuar kodin e punës, ndërkohë iu ka bërë thirrje punonjëseve të kësaj fasonerie të rikthehen në vendin e punës.

Kjo është hera e dytë që punonjëset e kësaj fasonerie protestojnë për të njëjtat kërkesa.