SYRI TV/ Shqiptarët i largohen leximit e librit, botuesit kërkojnë mbështetje nga shteti

Marrëdhënia e shqiptarëve me librin është një nga më problematiket sot. Lexuesit i janë larguar shijes estetike sidomos për shkak të çmimeve të larta të titujve, ndërsa  pritet një reflektim i thellë nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit për të mbështetur botuesit e për të stimuluar leximin për të gjithë grupmoshat. 

Nga SYRI TV

Edhe pse viti 2022 u cilësua nga Ministrja e Kulturës, si vit i suksesshëm, përveç monumenteve e pasurive arkeologjike në rrezik, një nga problemet më të qenësishme ishte dhe raporti i lexuesit shqiptar me librin. Statistikat treguan se shqiptarët nuk kanë etjen e dikurshme për të shpenzuar kohë me librin.

Sipas vëzhgimeve të Syri Tv, në ngjarjen më të rëndësishme të letrave, edicionin e 25-të të Panairit të Librit, u vu re një rënie e ndjeshme e interesit ndaj librave e në veçanti ndaj letërsisë shqipe.

Në panair pati tituj të rinj nëpër stendat e shtëpive botuese, ndonëse më pak nga viti që shkoi, kurse çmimet e botimeve pësuan ulje vetëm 10-20 përqind.

Krizën e shqiptarëve me librit e ndjenë edhe botuesit, të cilët theksuan nevojën e mbështetjes së botimeve nga institucionet shtetërore.

Pas përfundimit të Panairit të Librit, një tjetër ngjarje mbodhi romancierë, poet, tregimtarë, përkthyes, studiues dhe autorë për fëmijë që u vlerësuan në 6 kategori.

Përmes ceremonisë së mbajtur në hollin e Akademisë së Arteve u shpallën fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, ndërsa fituesi i romanit më të mirë të vitit Agron Tufa dhe poeti Visar Zhiti e shprehën mirënjohjen përmes 2 letrave dërguar nga Zvicra e Amerika. 

Pa zhurmën e merituar, edhe ky organizim që synon të afrojë lexuesit me librin, duke përzgjedhur prurjet më të mira të një viti kaloi thuajse në heshtje.

Në këtë situatë, ku lexuesi ndodhet në udhëkryq, për shkak të çmimeve të larta të librave, preferon t’i ikë kënaqësisë së dëshiruar estetike, leximeve. Në çdo vit që përmbyllet e në ardhjen e të riut, pritet një reflektim i thellë nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit, për të mbështetur botuesit e për të stimuluar leximin për të gjithë grupmoshat. Sa të mbërrijmë deri në zgjim nga gjumi letargjik që ka kapluar institucionet shtetërore me sa duket duhet të presim gjatë.