VIDEO-SYRI TV/ Qeveria nuk bën transparencë për satelitët, Berisha: Kostoja shkon 10 milionë euro

Lëshimi i satelitëve ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’ në hapësirë ka ngjallur reagime të shumta të politikanëve por edhe të qytetarëve në rrjetet sociale.

Ndërkohë mister mbeten edhe kostot e këtij eksperimenti pasi qeveria shqiptare nuk ka bërë akoma transparencë se sa është çmimi i tyre. Sipas të dhënave zyrtare, kompania SpaceX kërkon 1.2 milionë dollarë nga klientët për të dërguar në hapësirë një ngarkesë prej 200 kilogramësh.

Në përgjithësi satelitët e vegjël peshojnë nën 1200 kg. Nuk dihet se çfarë satelitësh ka zgjedhur qeveria shqiptare, por ata më të vegjlit janë rreth 600 kg. Por në këtë shumë nuk përfshihen kostot e tjera të mirëmbajtjes dhe operimit të satelitëve, të cila po ashtu janë të larta.

Lideri i opoztiës Sali Berisha akuzoi qeverinë se nëpërmjet satelitëve po vjedh paratë e shqiptarëve, si dhe bëri me dije se kostoja e tyre është disa herë me e madhe se buxheti për shkencën në vend. 

‘Edi Rama ka firmosur një kontratë me zero transparencë pa asnjë lloj gare apo konkurence për të lëshuar dy satelitë në Orbitë, ndërkohë që Shqipëria nuk disponon asnjë qendër apo ekip serioz studimesh ndërhapsinore.

Askush nuk e di koston e kësaj kontrate, por thuhet se shkon rreth 10 milionë euro apo 3,2 herë më shumë se i gjithë buxheti për shkencën në Shqipëri.

Qëllimi i vërtetë i këtyre satelitëve është:

1.-Të vjedh edhe në hapësirë të paktën gjysmën e shumës së prokurimit të tyre se atje lart nuk të sheh njeri. Ndaj të dy satelitet me të drejtë po thirren “Vjedhja 1” dhe “Vjedhja 2”

2-Të loboj me kompaninë lëshuese të satelitëve kundër opozitës e për pushtetin e tiij dhe në këtë rast emërtimi i satelitëve mbetet përsëri “Vjedhja 1” dhe “Vjedhja 2”’, shkruan Berisha.

Edhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama në postim e bërë në facebook nuk bën me dije koston e dy satelitëve por edhe arsyet specifike se për çfarë do të përdoren duke u mjaftuar me fjalë të përgjithshme.