SYRI TV/ PD kallëzoi penalisht Dilaver Velon në 2021 për korrupsion në zgjedhje

Detaje të reja janë zbardhur një ditë pas pezullimit nga detyra të efektivit të policisë Dilaver Velo, i cili rezultoi babai i autorit të dyshuar të vrasjes së Edmond Papës Albano Velo.

Mësohet se Dilaver Velo, që ishte me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë, është pjesë e listës së efektivëve të kallëzuar nga Partia Demokratike pasi i akuzon për shpërdorim detyre në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Në kallëzimin e depozituar nga Partia Demokratike pranë prokurorisë në datën 7 prill të vitit 2021, selia blu ka akuzuar Velon për konsumim të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” “Korrupsionit pasiv në zgjedhje” “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit”, ndërsa ky kallëzim i adresohet dhe disa efektivëve dhe personave të tjerë.

Dilaver Velo, babai i 30-vjeçarit Albano Velo që u arrestua për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa u pezullua nga detyra.

Menjëherë pas ndalimit të 30-vjeçarit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor Dilaver Velo, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.