Tritan Shehu ngre zërin për bllokimin e punës në Kardio-Kirurgji

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, ka shprehur shqetësimin e madh sot për mungesën e shërbimit për pacientët në Kardio-Kirurgji. Shehu bëri të ditur se Kardio-Kirurgjia në QSUT është prej një muaji e bllokuar dhe nuk u kursye ndaj së ashtuquaturës "mjekësi falas" që propagandon qeveria.

"Ardhjet me “hope” të materialeve thelbësore e jetësore mjekësore apo dhe të medikamenteve, kanë goditur këtë herë edhe Kardio-Kirurgjinë në QSUT, - shkroi ai në Fb. - Prej javësh ai aktivitet shumë i rëndësishëm mjekësor është bllokuar prej faktit se mungojnë oksigjeneratorët, një material ky i domosdoshëm për shumicën e operacioneve në zemër e enët kryesore të gjakut. Dhe ajo sasi shumë e vogël oksigjenatorësh e ruajtur nga shërbimi nuk siguron dot as nevojat e plota të urgjencës mjekësore, jo më ato të një aktiviteti normal.

Pa dyshim këtu e pësojnë së pari pacientët, që nuk janë të pakët në numër e seriozë për sa i përket patologjive. Një pjesë e tyre, në bazë të mundësive financiare janë të detyruar të drejtohen tek privati me pagesa të larta nga xhepi. Asnjë rimbursim nga shteti dhe për këtë situatë anormale të krijuar nga mosfunksionimi i institucioneve shtetërore. Por kjo gjendje prek edhe shërbimin e kardiokirurgjisë si pasojë e të tilla ndërprerjeve shumë të dëmshme për të.

Përfitoj nga rasti për të përshëndetur kolegët e personelin e Kardio-Kirurgjisë, që me vullnetin e aftësitë e tyre, pavarësisht këtyre pengesave e vështirësive që u krijohen nga kjo mjekësi “falas” në Shqipëri, po zhvillojnë këtë shërbim dhe aktualisht janë tejet të shqetësuar për sa po ndodh."