Tim Judah: Ndryshe nga Thaçi, Kurti nuk ka raporte personale me Vuçiçin

Analisti i njohur britanik, gazetari Tim Judah, në një shkrim të gjatë për situatën në Kosovë, thekson se Serbia vazhdon të flirtojë me idenë e ndarjes së Kosovës.

“Është një ide që shkon e vjen si batica. Deri sa shkoi në Hagë më 2020 për t’iu përgjigjur akuzave për krime lufte, Hashim Thaçi, deri në atë moment President i Kosovës, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, luajtën me idenë, por vendet perëndimore shpejtuan ta refuzonin.

Ndarja nuk ishte e mirëpritur as në Kosovë e Serbi. Problemi nuk ishte Kosova veriore, por më tepër precedenti i krijuar. Nëse Kosova veriore i kthehej Serbisë, atëherë çfarë do të bëhej me luginën e Preshevës në Serbi, e populluar nga shqiptarë; apo me rajonet e banuara nga shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, apo me rajonet serbe e kroate në Bosnjë Hercegovinë? Kështu, Kutia e Pandorës mbetet e mbyllur,” shkruan ai.

Judah thekson edhe një fakt tjetër në analizën e tij. Sipas gazetarit britanik, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrëdhënie personale me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, siç ndodhte me Hashim Thaçin.

“E megjithatë, mes gjithë këtyre zgjidhjeve teknike, një pjesë e problemit – në fakt, një pjesë shumë e madhe e problemit – është personale. Disa vite më parë, intervistova Hashim Thaçin, i cili ka qenë një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Vuçiç ishte ministër në qeverinë e Milosheviçit. Në fund të intervistës më pyeti: “A flet me Aleksandrin?” Në fillim s’po e kuptoja, pastaj u ftillova që po fliste për Vuçiç. Sot nuk ka më biseda të përzemërta me emër. Vuçiç dhe Kurti e përbuzin njëri-tjetrin. Kur Vuçiç ishte ministër, Kurti ishte i burgosur politik në një burg serb; më 1 dhjetor, Vuçiç e quajti publikisht Kurtin “llum terrorist”. Mungesa e çfarëdolloj raporti personal e bën shumë më të vështirë gjetjen e një marrëveshjeje,” shkruan Judah.

“Shumë diplomatë e shohin Kurtin si kokëfortë dhe kjo ia ka larguar një pjesë të përkrahjes perëndimore, por politika e të luajturit pa bërë lëshime kundër Vuçiç ka sjellë rezultate. Vuçiç është në disavantazh dhe është detyruar të lëshojë për disa çështje në muajt e fundit: më 15 dhjetor Kurti aplikoi për kandidaturën e Bashkimit Evropian dhe tashmë e ka marrë premtimin se qytetarëve të Kosovës nuk do t’u duhen viza për zonën Schengen që nga viti 2024,” thekson analisti.