Kreu i Institutit për Drejtësi për 'Kobrën': Pas 16 amnistive, mos u çuditni nëse vrasja del të jetë 'vetëmbrojtje'

Nga Ehat Miftaraj, Drejtor ekzekutiv i  Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD),

Mos u çuditni nëse në fund del se vrasja e fundit në Prizren, del të jetë në "vetëmbrojtje"!

Nëse prokuroria dhe gjykata në Prizren e kanë fal 16 herë me dënime amnistuese, nuk përjashtohet mundësia që edhe herën e 17 me ia ba një argat.

Në një shtet normal, KGJK dhe KPK, sot u deshtë me caktu komisione ad hoc të përbërë nga gjykatës dhe prokurorë me integritet, përvojë dhe ekspertizë, me i analizu, vlerësu dhe verifiku 16 aktakuzat, 16 aktgjykimet në rastet ndaj Dibran Hoxhës.

Është interes publik me kuptu se në 16 aktakuza, cilët janë prokurorët e këtyre rasteve?

Në 16 aktakuza dhe shqyrtime gjyqësore, sa herë prokurorët kanë informu gjykatën se kryesi i veprave penale është recidivist?

Në 16 aktgjykimet dënuese, është interes publik me dit si është zbatu politika ndëshkimore?

Ndaj 16 aktgjykimeve, në sa prej tyre është bërë ankesë nga ana e prokurorit lidhur me dënimin e shqiptuar?

Ministria e Drejtësisë, në kuadër të saj ka Shërbimin Sprovues, i cili është kompetent në organizimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative dhe të riintegrimit shoqëror të personave të dënuar.

Në rastin në fjalë, ku kemi 16 aktgjykime dënuese, Shërbimi Sprovues a ka qënë i informuar? Nëse po, a ka marrë ndonjë veprim?

Apo Shërbimi Sprovues është një mekanizëm, një numër i zyrtarëve publikë që paguhen nga shteti, por që në publik pak persona janë të njohur lidhur me atë që bëjnë apo çka punojnë?

Shërbimi Korrektues të dalë me njoftim se në 16 aktgjykime ndaj Dibran Hoxhës, me sa është dënuar me burgim efektiv? Shërbimi Korrektues i Ministrisë së Drejtësisë të dalë dhe të informojë publikun se në rastet kur është dënuar me burg efektiv, a e ka vuajtur dënimin në tërësi? Cila ka qënë sjellja e tij në qendrat korrektuese?

Shumë pyetje e asnjë përgjigje nga asnjëra hallkë e institucioneve të drejtësisë!

P.s/  Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Betimi për Drejtësi, në shkurt 2022, kishte dalë me analizë lidhur në profilin e Dibran Hoxhës; asnjë veprim nga kryeprokurori Admir Shala, nga KPK apo KGJK.