Vrasja e biznesmenit/ Ish-polici Velo u padit nga PD për zgjedhjet e 25 prillit

Një ditë pas pezullimit nga detyra të efektivit të policisë Dilaver Velo, i cili rezulton të jetë babai i autorit të dyshuar të vrasjes së Edmond Papës, të tjera detaje dalin në dritë.

BalkanWeb mëson se Dilaver Velo, që ishte me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë, është pjesë e listës së efektivëve të kallëzuar nga Partia Demokratike për shpërdorim detyre në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Në kallëzimin e depozituar nga Partia Demokratike pranë prokurorisë, selia blu ka akuzuar Velon për konsumim të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328, “Korrupsionit pasiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328/b, “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” parashikuar nga neni 329 dhe “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit” parashikuar nga neni 331/a të Kodit Penal. Kallëzimi në fjalë mban datën 7 prill të 2021-shit, ndërsa i adresohet dhe disa efektivëve dhe personave të tjerë.

“Shtetasit e mësipërm kanë shkelur Kodin Penal dhe Kodin Zgjedhor nëpërmjet: Intimidimit me anë të punonjësve të administratës shtetërore të anëtarëve të Partisë Demokratike të zhvillojnë aktivitetet e parashikuara prej tyre në Njësitë Administrative 4 dhe 8, duke i kërcënuar këta të fundit me sanksione administrative/penale. Vizitave dhe intimidimit me anë të punonjësve të administratës shtetërore të pronarëve të bar/kafeve ku Partia Demokratike ka zhvilluar takime, duke i kërcënuar që në rast se lejojnë mbledhje në të ardhmen do të gjobiten nga organet e tatimeve dhe policisë. Kërcënimi me anë të telefonit apo personalisht nëpërmjet punonjësve të administratës shtetërore të aktivistëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të opozitës me qëllim që të largohen nga veprimtaria në këtë parti dhe të mos ushtrojnë të qetë të drejtat e tyre ligjore dhe në rast mostërheqje do të përballen jo vetëm me dënime atyre dhe familjarëve të tyre, por dhe me dhunë fizike”, thuhet në kallëzimin e PD.

Dilaver Velo, babai i 30-vjeçarit Albano Velo që u arrestua për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa u pezullua nga detyra. Në një reagim zyrtar Policia e Shtetit bëri me dije se menjëherë pas ndalimit të 30-vjeçarit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor Dilaver Velo, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.