VIDEO/ Protestë e punonjëseve në Bilisht për pagat dhe kushtet e punës

Punonjëset e një fasonerie në qytetin e Bilishtit kanë protestuar ditën e sotme për rritjen e pagave, kushtet e punës, për lejen vjetore dhe pagesën e siguracioneve. Po ashtu, edhe për rikthimin në punë të kryetares së Sindikatës së Dasonerive, znj. Mira Shega, e cila u pushua dje nga pronarët e këtij biznesi,

Gazetarja e SYRI TV, Sidorela Xhomaqi, në një lidhje direkte nga Bilishti, njoftoi se një protestë po zhvillohet pranë fasonerisë së Bilishtit ku punojnë mbi 150 gra. Ato kanë vendosur të pezullojnë punën sot dhe i janë bashkuar të gjitha grevës.

Përsa i përket problematikave të shumta, ato kërkojnë përmirësim të kushteve dhe rritje të pagave. Në fakt, ditën e djeshme, ka pasur dhe një heqje nga puna.

Bëhet fjalë për kryetaren e Sindikatës së Fasonerive në qytetin e Bilishtit, e cila problemet e shumta të punonjëseve ia ka shtruar pronarit të fasonerisë, por ai duket se ka marrë një vendim drastik duke e pushuar nga puna.

Znj. Mira Shega, kryetare e Sindikatës së Fasonerive,  iu komunikua dje nga pronarët se nuk mund të vazhdonte të punonte më pranë kësaj fasonerie. Në shenjë solidariteti, por edhe pse kërkesat kanë qenë nga punonjëset për përmirësimin e kushteve dhe të pagave, ato janë ngritur sot.

Nuk është hera e parë që ndodh kjo, edhe një vit me parë këto gra janë ngritur në protestë duke bllokuar edhe aksin nacional Korçë- Bilisht sepse kishte mungesë të kushteve të punës dhe paga të vogla.

Një vit më parë kjo situatë agravoi aq sa u desh ndërhyrja e Ministres së Financave të asaj kohe, që erdhi të bisedojë me pronarët dhe me punonjëset për kërkesat, por duket se vijon e njëjta problematikë si në të gjitha fasoneritë në vend, ku punonjëset  detyrohen të punojnë në orare të zgjatura dhe pa ngrohje dhe pa siguracion.”

Gazetarja Xhomaqi shtoi se “kemi dashur të marrim prononcime nga punonjëset sot për këtë situatë, por frika se mos përfundojnë edhe ato si kryetarja e sindikatës, të hidhen në rrugë nga pronarët e kësaj fasonerie, i ka bërë të stepen. Jashtë kamerave ato pohuan se pas protestës ë vitit të kaluar, tri nga punonjëset që folën për problemet, u shkarkuan.

Në bashkinë e Bilishtit janë të pakta punët për gratë e Bilishtit dhe të zonave përreth. Të ardhurat janë minimale, që ndikon shumë në ekonominë e tyre familjare në një kohë që punojnë me orare të zgjatura dhe në procese të ndryshme. Nevoja i ka bërë të nënshtrohen për një farë kohe, por kërkesat e vazhdueshme tek pronarët nuk kanë gjetur mirëkuptim; sipas tyre, një pjesë e madhe nuk figurojnë të siguruara, punojnë në të zezës, kurse ato që janë të siguruara, kanë një pagë shumë të vogël dhe në kushte shumë të vështira.“/ar/sh/SYRI.NET