Për herë të parë në 100 vjet/ Dështon zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve

Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diçka që nuk është parë në Kongres për një shekull.

Udhëheqësi republikan, Kevin McCarthy, dështoi në përpjekjen e tij për t'u zgjedhur kryetar - hera e parë që nga viti 1923, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk u zgjodh që në raundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka 435 anëtarë.

Ai nuk arriti nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tre raundesh votimi, ku 20 ligjvënës konservatorë votuan kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan.

Kongresmeni nga Kalifornia nuk u votua 3 herë radhazi dhe është e paqartë se cila mund të jetë rruga e tij drejt fitores kur Dhoma e Përfaqësuesve të kthehet të mërkurën për të provuar gjithçka nga e para. Ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të votojnë derisa një kandidat të fitojë shumicën.

Ende nuk dihet nëse do të ndryshojë qëndrimi i grupit që e kundërshtoi McCarthy, apo nëse mund të shfaqet ndonjë kandidat i ri.

Por, edhe nëse McCarthy gjen një mënyrë për të fituar, paralajmërojnë analistët parashikojnë trazira në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët kanë fituar një shumicë të ngushtë 222-212 në Dhomën e Përfaqësuesve pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa një vend është momentalisht vakant.

McCarthy, i cili shërben prej 16 vitesh si ligjvënës nga Kalifornia, do t’i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar.

Në raundin e tretë të votimit, 202 republikanë votuan për McCarthy, pra 16 më pak nga votat që i nevojiten për tu zgjedhur kryetar.

57-vjeçari McCarthy, është përpjekur prej vitesh të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Gjatë javëve të fundit, ai u takua në mënyrë të përsëritur me kundërshtarët e tij republikanë, për të siguruar mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij për kryetar.

Kushdo qoftë ligjvënësi që republikanët do të zgjedhin për kryetar, McCarthy apo dikush tjetër, ai do të zëvendësojë Kryetaren demokrate në largim, Nancy Pelosi, e cila vazhdojë të jetë ligjvënëse.

Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve ndodh përpara se ligjvënësit ta bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar./ REL/