Historia e vrasjeve për drogën/ Albano Velo mori hak për kunatin e tij...

Dy javë pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë, policia arrestoi Albano Velon, kunatin e Aleksandër Sadikajt, i cili u vra nga shpërthimi i tritolit pranë TEG në qershor të vitit të kaluar. Nga hetimet ka dalë se për 6 muaj, Albano Velo së bashku me një person tjetër ka planifikuar hakmarrjen për vrasjen e kunatit të tij, dhe në mbrëmjen e 16 dhjetorit ka ekzekutuar Edmond Papën në Tiranë.

30-vjeçari është nga Këlcyra dhe u arrestua në Rinas, kur sapo ishte kthyer nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit. Dyshimet janë se Papa u ndoq këmba-këmbës nga Velo dhe një person tjetër, një 44-vjeçar i identifikuar si A.B., banues në Tiranë. Ky i fundit është shpallur në kërkim si bashkëautor i vrasjes së Papës.

Edmond Papa u vra pranë një lokali në Selitë. Në momentin e krimit ai tentoi të godasë vrasësin me çfarë ka mundur, por u qëllua për vdekje nga 9 plumba. Gjykata e ka lënë në burg Alban Velajn, i cili ka mohuar autorësinë e vrasjes.

Zanafilla e konfliktit

Ende janë të paverifikuara motivet nga të cilat lindi konflikti për vrasjet e Armando Sadikajt dhe Edmond Papës. Trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe zhdukja e 700 kilogramëve hashash është përmendur nga mediat greke si shkak i ekzekutimeve në Tiranë.

Po sipas mediave greke, pjesë e të njëjtës histori konflikti është edhe vrasja e dyfishtë që ndodhi në Athinë disa ditë më parë, ku mbetën të vrarë dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja.

Si u vranë Armando Sadikaj dhe Edmond Papa

27-vjeçari Sadikaj që u vra me shpërthim tritoli menaxhonte një fermë kuajsh në Memaliaj. Ai kishte një shtëpi në Tiranë dhe ka qenë i skeduar për vjedhje, kundërshtim të forcave të policisë dhe plagosje. Ekzekutimi i tij ndodhi në pjesën lindore të unazës, pasi autorët e kishin ndjekur dhe e shpërthyen mjetin e tij në dalje të Tiranës.

Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Ai ndodhej në Tiranë për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore. Në momentin që po qëndronte në lokal, pranë tij u afruan dy persona që e qëlluan me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend. Papa ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë./LAPSI