Ischinger: Vuçiç sillet si Putini i vogël, njësoj si në shekullin e 19-të

Diplomati i njohur gjerman, Wolfgang Ischinger, në një intervistë për gazetën gjermane Welt, foli mes të tjerash edhe për situatën e acaruar në Kosovë.

Ai tha se fajtor është Beogradi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Ischinger theksoi se Vuçiç po sillet si Putini i vogël.

“Sinqerisht mua më duket e padëgjuar që udhëheqja serbe, unë e njoh shumë mirë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç nga shumë biseda personale, por më duket e padëgjuar se si ai dhe udhëheqja serbe po e ndezin situatën. Kjo është absolutisht e papërgjegjshme.

Mundet që edhe udhëheqja kosovare të kritikohet që nuk kanë ruajtur dhe zbatuar marrëveshjet e mëparshme. Për këtë mund të flitet. Për këtë mund të negociohet. Mund të kërkohet që me Bashkimin Europian, i cili shërben si negociator, të kërkohet arritja e kompromiseve.

Por të bësh gjeste lufte, siç po bën udhëheqja serbe gjatë këtyre ditëve, e cila po e vendos ushtrinë në lëvizje dhe po sillet sikur të ishte shekulli i 19-të, duke dashur të sulmojë një vend fqinj, mua më duket sikur presidenti Vuçiç këtu po luan si një Putin i vogël.

Kjo gjë nuk i duhet lejuar atij, kjo është të ndezësh flakët, kjo do të thotë të luash me zjarrin dhe kjo nuk i lejohet një vendi që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian,” tha Ischinger.

I pyetur se sa e shqetësuar duhet të jetë Europa për situatën në Kosovë, ai tha:

“Për fat ne kemi akoma KFOR-in, pra misionin ushtarak të NATO-s që është stacionuar në Kosovë dhe ka mijëra ushtarë, çka siguron se gjërat nuk do të dalin jashtë kontrollit.

Por ajo që po përjetojmë është e kundërta e një përafrimi kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë, por një ndezje të situatës me veprime ushtarake.

Përse serbët në veri të Kosovës janë kaq të acaruar? Sepse janë nxitur nga udhëheqja e Beorgadit. Fajin nuk e kanë njerëzit në Kosovë, nuk ka rëndësi serbë apo shqiptarë, por unë fajësoj për këtë situatë Beogradin”.