Presidenti jugkorean paralajmëron prishjen e paktit ushtarak me Veriun pas incidentit me dronë

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol tha të mërkurën se do tëshqyrtonin pezullimin e një pakti ushtarak ndërkorean të vitit 2018 nëse Koreja e Veriut do të shkelte përsëri hapësirën ajrore të vendit, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar zëdhënësin e tij të shtypit.

Yoon e bëri komentin pasi u informua për kundërmasat ndaj dronëve të Koresë së Veriut që kaluan në Jug javën e kaluar, duke bërë thirrje për ndërtimin e një "aftësie dërrmuese reagimi që shkon përtej niveleve proporcionale", tha Yonhap.

Marrëdhëniet ndër-koreane kanë qenë në sprovë për dekada, por janë tensionuar edhe më shumë që kur Yoon mori detyrën në maj, kur u zotua për një politikë më të ashpër kundër Phenianit.

Yoon e ka kritikuar trajtimin nga ushtria të incidentit me dron, duke fajësuar pjesërisht mbështetjen e administratës së mëparshme në paktin e vitit 2018 që ndalon aktivitetet armiqësore në zonat kufitare. Ai i ka kërkuar ushtrisë që të jetë gati për t'u hakmarrë.

Presidenti jugkorean Yoon urdhëroi Ministrin e Mbrojtjes të nisë një njësi gjithëpërfshirëse dronesh, që kryen misione me shumë qëllime, si vëzhgimin, zbulimin dhe luftën elektronike dhe të ngrejë një sistem për prodhimin në masë të dronëve të vegjël që janë të vështirë për t'u zbuluar, tha agjencia Yonhap duke cituar zëdhënësen e tij të shtypit, znj. Kim Eun-hye

“Ai gjithashtu bëri thirrje për përshpejtimin e zhvillimit për prodhimin e dronëve stealth këtë vit dhe krijimin e shpejtë të një sistemi që shkatërron drone”, shtoi agjencia.