Skandali i Ahmetajt/ Prokurorët e SPAK zhdukën edhe e-mailet e Zotos?

Prokurorët që hetuan inceneratorët nuk kanë vepruar me dashje për të hetuar edhe Arben Ahmetaj, dhe kjo shmangie nga provat, përbën shpërdorim detyre.

Me këmbënguljen se Gjykata e Posaçme duhet të urdhërojë prokurorinë SPAK të regjistrojë hetimet ndaj Eneid Nakucit dhe Klodian Brahos, gazetari Adriatik Doci radhit shkeljet e përfaqësuesve të akuzës.

Kryesorja, sipas gazetarit, është fakti se pavarësisht akuzave për shpërdorim detyre në bashkëpunim, dy prokurorët rezulton se nuk e kanë pyetur ende ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj, së fundmi edhe zëvendëskryeministër. E dyta, thekson gazetari, është fshirja e provave nga e-maili i Klodian Zotos, që paguante akomodime luksoze në hotele jashtë Shqipërisë për ish-ministrin, i cili ndërkohë firmoste për inceneratorët.

Duke replikuar me vendimin e mosfillimit të Alfred Shehut për dy kolegët e tij, Doçi pyet “ku kanë përfunduar e-mailet në kompjuterin e Klodian Zotos”, që sipas kallëzimit iu adreson dy prokurorëve që nuk i përfillën provat korruptive edhe atë të zhdukjes së akteve.

Në vendimin e prokurorit Alfred Shehu nuk analizohet asnjë rresht se cilat janë arsyet për mospërfshirjen në hetim të këtyre e-maileve dhe as për mospyetjen e funksionarit të lartë Arben Ahmetaj.

Për kallëzimin e dy prokurorëve, Shehut iu deshën vetëm 13 ditë të vendoste mosfillimin e çështjes dhe tanimë ky vendim është dorëzuar në gjykatë nga gazetari./TCH