Masakra e Vitit të Ri/ Rusia: Fajin e kishin celularët, ndalohej përdorimi

Rusia ka bërë me dije se sulmi me raketa që vrau të paktën 89 ushtarë rusë në Donetsk, erdhi pasi trupat po përdornin celularët.

Sipas zyrtarëve rusë, përdorimi i telefonëve nga ushtarët bëri që të zbulohej vendndodhja e tyre.

Ukraina thotë se nga sulmi në Makiivka u vranë 400 ushtarë rusë dhe 300 të tjerë u plagosën.

Në orën 00:01 të Vitit të Ri, 6 raketa u lëshuan ndaj trupave ruse, duke vrarë edhe komandantin e regjimentit, sipas Ministrisë së Brendshme ruse.

Një hetim ka nisur, por në komunikatën e kësaj ministrie thuhet se “është e qartë” që trupat u zbuluan nga përdorimi masiv i celularëve, pavarësisht se ishte e ndaluar përdorimi i tyre.

“Ky faktor lejoi armikun që të gjente koordinatat e personelit ushtarak dhe të godiste me raketa”, lexohet në komunikatë.