Nesër funerali i Papa Benediktit XVI, priten presidentë dhe mbretër nga e gjithë bota

Janë afër përfundimit përgatitjet për kremtimin e funeralit të Benediktit XVI të enjten më 5 janar, kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke filluar nga ora 9.30, njofton Vatikani. Më shumë se 500 ipeshkvij dhe katër mijë meshtarë do të bashkremtojnë Meshën e Dritës. Deri tani janë akredituar më shumë se 600 gazetarë. Lutjet për Papën e Nderit dhe të gjitha ritet liturgjike që do t'i paraprijnë dhe pasojnë funeralin, transmetohen drejtpërdrejt në TV në mbarë botën.

Sipas vullnetit të vetë Papës së nderit Benediktit XVI, do të jenë të pranishëm dy delegacione zyrtare në funeralin që do të drejtohet nga Papa Françesku të enjten e ardhshme, më 5 janar, në orën 9,30 në Sheshin e së Shën Pjetrit në Vatikan.

Bëhet fjalë për delegacionin nga Gjermania, vendlindja e Joseph Ratzinger dhe nga Italia, atdheu i tij i dytë, siç e ka cilësuar gjithmonë. Kështu, të enjten në Sheshin e Shën Pjetrit do të shohim Presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella dhe atë të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, me shoqëruesit e tyre përkatës.

Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë nuk konfirmon praninë e krerëve të tjerë të shteteve apo qeverive, por “nëse vjen dikush – tha drejtori Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve – do të jetë në cilësinë personale”.

Ndërkohë, është njoftuar prezenca e disa të krerëve të tjerë të shteteve në funeralin e Benediktit XVI: Presidenti i Polonisë Andrzej Duda, Mbretëresha e Spanjës Sofia, Mbreti Filip dhe Mbretëresha e Belgjikës Mathilde, Presidenti Portugalisë Marcelo Nuno Duarte Rebelo de Sousa, Presidenti i Hungarisë Katalin Novak etj.

"Liturgjia me të cilën do të kremtohet funerali i Benediktit XVI do të jetë afërsisht e ngjashme me atë të një Pape në drejtimin e Kishës, por e rimodeluar në një tipologji dhe situatë të ndryshme". Kështu deklaroi drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, gjatë një takimi me gazetarët ndërkombëtarë në kuadër të funeralit të Papës së Nderit. “Baza e liturgjisë është ajo – shtoi Bruni – me disa elementë origjinalë që i japin ritit origjinalitetin. Elementet që mungojnë janë ato që lidhën me Papën në pushtet, si lutjet e fundit, lutja e dioqezës së Romës dhe e Kishave Lindore, të cilat janë shumë specifike për Papën 'aktiv'".