'Pa alarm, por jo neglizhim të situatës delikate të Covid nga varianti XBB.1.5'

Nga Petrit Vasili, ish-MInistër i Shëndetësisë.

Situata e Covid-it është aktualisht në një moment delikat. Në Kinë janë disa qindra milionë të infektuar me Covid; llogaritet rreth 350 milionë raste dhe disa mijëra vdekje në ditë. Numri i të infektuarëve vetëm në Kinë, aktualisht është sa gjysma e të infektuarve në të gjithë botën.

Shtete që nga Italia, ShBA, Kanadaja, Franca, Spanja, Australia kanë vendosur kërkimin e kryerjes së tamponeve për të gjithë qytetarët kinezë që vijnë në shtetet e tyre. Europa ka avantazhin e një mbrojtjeje vaksinale cilësore si dhe një organizim shëndetësor të nivelit të lartë. Por çdo nënvleftësim dhe neglizhim mund të rezultojë me pasoja.

Aktualisht është zbuluar qarkullimi i një varianti të Omicron që quhet XBB.1.5 dhe ka shkaktuar alarm në SHBA për shkak të përhapjes së shpejtë dhe rritjes së ndjeshme të të shtruarve në spital. Varianti në fjalë është një version i Omicron-it dhe ka mutacione, që e ndihmojnë të infektojë më shpejt njerëzit dhe të shmangë mbrojtjen nga vaksinimi dhe infektimet e mëparshme. Ky variant është një mutacion i dalë nga Omicron, XBB dhe është pikasur për herë të parë në Indi në gusht. Ky variant është një alarm për autoritetet pasi mund të sjellë krizë nëpër qendrat spitalore.

Megjithatë nuk ka të dhëna se ky variant shkakton sëmundje më të rëndë se variantet e mëparshme.

Duhet pra një vlerësim shumë profesional dhe pa komplekse i situatës për të marrë vendime të shpejta dhe në kohën e duhur. Shtetet, që kanë marrë vendime për kërkimin e tamponeve për qytetarët, që vijnë nga Kina aktualisht, përbëjnë edhe ekselencën më të shkëlqyer mjekësore botërore të epidemiologjisë, ndaj shërbejnë si momente referimi shkencor të detyrueshëm për autoritetet shëndetësore dhe qeverinë në Shqipëri.

Pësimet, gabimet dhe hezitimet e së shkuarës duhet të jenë patjetër një mësim dhe duhen analizuar me gjakftohtësi dhe jo me kokëfortësi politike irracionale, pasi bëhet fjalë për jetën dhe shëndetin e qindra mijëra njerëzve të të gjithë moshave. Duhen masa profesionale dhe jo politike! Pa alarm, por kurrsesi neglizhim dhe nënvleftësim të situatës aktuale delikate të Covid-it!