SYRI TV/ Klani 'Zoto', 18 miliardë lekë këtë vit, tri kompanitë e tij shkundin financat e shtetit

Qeveria e Edi Ramës i ka dhënë 18 miliardë lekë kompanive të lidhura me biznesmenin Klodian Zoto gjatë vitit që lamë pas. Referuar të dhënave të Thesarit të Shtetit, kompania kryesore e Zotos është paguar më 29 dhjetor të vitit 2022 me 130 milionë lekë të vjetra, faturë që shkon si pagesë për ndërtimin e landfillit të Vlorës.

Nga SYRI TV

Kompanitë e lidhura me biznesmenin në kërkim, Klodian Zoto, kanë përfituar nga qeveria e Edi Ramës plot 18 miliardë lekë të vjetra gjatë vitit 2022.

Kompanitë e tij janë të lidhura me ndërtimin e landfillëve të mbetjeve urbane në Tiranë, Vlorë dhe Fier.

Referuar të dhënave të Thesarit të Shtetit, kompania kryesore e Zotos, “Integrated Technology Service” është paguar më 29 dhjetor të vitit 2022 me 130 milionë lekë të vjetra.

Kjo faturë shkon si pagesë për ndërtimin e landfillit të Vlorës. Përgjatë vitit që lamë pas, kompania e Klodian Zotos është paguar rreth 720 milionë lekë të vjetra për vend-depozitimin e mbetjeve të qytetit bregdetar që po ndërtohet në Sherishtë.

Klodian Zoto ka përfituar gjatë vitit 2022 edhe mbi 3.8 miliardë lekë të vjetra nga kompania “Integrated Technology Ëaste Treatment”, bazuar në kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit.

Kompania është nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme prej më shumë se një viti. Por, kjo situatë nuk e ka penguar aspak Ministrinë e Infrastrukturës që të vijojë pa ndalim pagesat për kompaninë e Klodian Zotos.

Ndërsa përfitimi më i madh për biznesmenin e dyshimtë vjen nga kontrata për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.

Kompania koncesionare “Integrated Energy BV” është paguar plot 13.5 miliardë lekë të vjetra gjatë vitit 2022 për shërbimin e depozitimit të mbetjeve urbane të bashkive Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Vorë.

Kontrata koncesionare parashikon që bashkitë të paguajnë 29 euro për depozitimin dhe incenerimin e çdo ton mbeturina. Por, deri më tani, kompania koncesionare nuk e kryen shërbimin e djegies së mbeturinave.

Kompania “Integrated Energy BV” është krijuar në vitin 2016, nga bashkimi i tre operatorëve ekonomikë, ku një rol kryesor kishte Klodian Zoto.

Aktualisht, sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, aksionerët e dukshëm të shoqërisë koncesionare janë tre shtetas italianë, njëri prej të cilëve është në kërkim nga Prokuroria e Posaçme.

Italiani Xhuzepe Çafalione, i cili sipas dokumentave zyrtare rezulton pronar me 33 përqind të koncesionarit të Sharrës, akuzohet së bashku me Klodian Zoton e persona të tjerë si i përfshirë në skemën masive korruptive të njohur si “afera e inceneratorëve”.