Shpopullimi/ Nga Italia në Gjermani: Bebet e para të 2023-it janë shqiptare

Nëse do të kuptosh se sa e rëndë është drama e shpopullimit të Shqipërisë, mjafton të hedhësh një sy te mediat e huaja. Ndërkohë që në Shqipëri, lindjet kanë rënë ndjeshëm, në vendet e mëdha të Bashkimit Europian, fëmijët e parë që kanë lindur për vitin 2023 janë shqiptarë.

Për shembull, mediat lokale në Gjermani raportojnë se fëmija e parë i lindur në qytetin Mannheim është një shqiptare.

Bëhet fjalë për një bebe të quajtur Asia. Mediat thonë se bebja e lezetshme lindi nga prindërit Ishe dhe Fatos Balliu. Një e afërme e familjes tha se bebja erdhi në jetë dy javë më herët. Ajo peshonte 3470 gramë dhe është 51 centimetër.

Por edhe më poshtë, në Itali, një tjetër fëmijë shqiptar ka lindur i pari për vitin 2023.

Në spitalin e Empolit në Itali, fëmija i parë që lindi në 2023 është një fëmijë prindërit e të cilit janë me origjinë shqiptare.

Mediat në shtetin fqinj raportojnë se foshnja me emrin Sole erdhi në jetë në spitalin San Giuseppe në Empoli në ditën e parë të vitit të ri.