Anëtarët e kartelit të drogës sulmojnë me armë burgun në Meksikë, vriten disa persona, arratisen dhjetëra të dënuar

Dhjetëra të burgosur janë arratisur nga një burg në Meksikën veriore pasi persona të armatosur, të dyshuar si anëtarë të një karteli droge, hapën zjarr në objekt.

Burrat mbërritën jashtë burgut shtetëror Chihuahua pak pas orës 07:00 me automjete të blinduara dhe filluan të qëllonin mbi rojet, thonë autoritetet, raporton BBC.

Gjatë sulmit u vranë 10 persona mes tyre katër të burgosur.

Policia thotë se rreth 24 të burgosur u arratisën.

Përleshjet brenda burgut, ku të burgosurit nga bandat e ndryshme kriminale dhe kartelet e drogës janë vendosur në qeli të veçanta, lanë gjithashtu 13 të plagosur. Katër prej tyre po trajtohen në spital, thanë autoritetet e burgut.

Një grua tha se sulmuesit ishin të veshur me të zeza, ishin më të armatosur se policia dhe po qëllonin në çdo automjet që kalonte.

Ushtria dhe garda kombëtare janë thirrur për të mbështetur autoritetet lokale pas kësaj.