Inteligjenca gjermane sheh rritje të aktivitetit të inteligjencës ruse në vend

Interesi i inteligjencës ruse për Gjermaninë vazhdon të rritet ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, sipas inteligjencës gjermane.

Kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës,Thomas Haldenwang, rendit Kinën dhe Iranin në mesin e atyre vendeve, shërbimet sekrete të të cilave janë aktive në Gjermani.

 “Interesi i shërbimeve të inteligjencës ruse këtu në Gjermani, jo vetëm që nuk është ulur, por po rritet ndërsa efektet e luftës vazhdojnë”, tha Haldenwang për DPA në një intervistë.

"Situata aktuale tregon edhe një herë se sa real është rreziku i spiunazhit rus," shtoi ai, duke iu referuar një agjenti të dyshuar të dyfishtë në Shërbimin Federal të Inteligjencës Gjermane (BND), i cili u arrestua pak para Krishtlindjeve.

Personi i arrestuar dyshohet se i ka dhënë informacion sekret një agjencie të inteligjencës ruse.

Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, disa shtete evropiane dëbuan agjentët rusë, ku vetwm Gjermania dëboi 40 anëtarë të ambasadës ruse në Berlin.

“Ne po bëjmë përpjekje serioze për të parandaluar që personat e tjerë që mund të lidhen me shërbimet e inteligjencës ruse të vijnë këtu në Gjermani”, tha Haldenwang për DPA, duke shtuar se qeveria federale ka shtrënguar rregulloret e vizave për këtë qëllim.