VIDEO-SYRI TV/ Ndërrimi i viteve, festë në gjithë vendin. Shqiptarët festuan në çdo qytet

Mijëra qytetarë zbritën në qendrat e qyteteve në orën 12 në mesnatë për të pritur ardhjen e vitit 2023. Qytetarët festuan nën atmosferën e spektaklit të fishekzjarrëve, i cili ka zgjatur për disa minuta në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Nga festimet janë raportuar vetëm disa lëndime të vogla të qytetarëve.

Nga SYRI TV

Në të gjithë vendin u prit me fishekzjarrë ndërrimi i viteve. Mijëra qytetarë zbritën në qendrat e qyteteve në orën 12 në mesnatë për të pritur ardhjen e vitit 2023. Qytetarët festuan nën atmosferën elektrizuese të fishekzjarrëve.

Kryeqendra e festimeve në Tiranë ishte sheshi ‘Skënderbej’, nga ku qytetarët patën mundësi të shijonin spektaklin e fishekzjarrëve i cili zgjati disa minuta dhe një koncert me muzikë live. Pas kësaj vijuan festën në bare, restorante apo me familjet deri në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar.

Me entuziazëm dhe festë është pritur ndërrimi i viteve në sheshet kryesore të çdo qyteti. Kur akrepat e orës kaluan mesnatën, qielli u ndez nga fishekzjarret.

Ndërrimi i viteve u mundësoi qytetarëve të kalonin momente argëtimi dhe të shkëmbenin urime me njëri-tjetrin.

Në rrugët e çdo qyteti ka pasur prezencë te shtuar të forcave të policisë, që kanë qenë në gatishmëri të plotë jo vetëm për të garantuar qarkullimin normal, por edhe për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Nga festimet nuk janë raportuar problematika, përveç disa djegieve dhe lëndimeve të vogla të qytetarëve, të cilët kanë marrë kurim në spital dhe më pas janë kthyer nëpër banesa. Pas një periudhe të vështirë për shkak të tërmetit, pandemisë e së fundmi luftës Rusi-Ukrainë, duket se Viti 2023 ka rikthyer gjallërinë në vend.