VIDEO-SYRI TV/ Aksidentet përgjakin rrugët, zbardhet ngjarja e Elbasanit

Policia ka zbardhur aksidentin me vdekje të ndodhur rreth një javë më parë në Elbasan, ku humbi jetën këmbësori Dalip Xhakoj, 53 vjeç. Blutë arrestuan 33-vjeçarin Nigert Kikija, i cili u largua nga vendi i ngjarjes pas aksidentit. Ndërkohë, në Pogradec, është regjistruar një tjetër aksident këtë të shtunë, me pasojë plagosjen e drejtuesit të mjetit

SYRI TV

Fundi i vitit po mbyllet me bilance shqetësuese mbi aksidentet rrugore.

Këtë të shtunë, në hyrje të fshatit Tushemisht, Pogradec, shtetasi K. L., 27 vjeç, duke drejtuar automjetin tip "Benz", dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke dalë nga rruga.

Mjeti ka bërë disa rrotullime dhe dyshohet se shkak ka qenë përgjumja e drejtuesit në timon. Për pasojë ka marrë dëmtime vetë drejtuesi K. L., i cili u transportua në spitalin e Pogradecit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, policia e Elbasanit, një javë pas ngjarjes, ka zbardhur aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e 53-vjeçarit Dalip Xhakoj, në aksin rrugor Elbasan-Peqin.

Blutë kanë identifikuar dhe kapur shoferin e automjetit tip "BMW X3", shtetasin Nigert Kikija, i cili u largua nga vendngjarja. 33-vjeçari nga fshati Papër, ku edhe ndodhi aksidenti, akuzohet për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe "Largimi nga vendi i aksidentit".

Viktima nga fshati Vidhas i Elbasanit, ka qenë duke lëvizur me këmbë teksa u përplas nga 33-vjeçari.

Automjeti tip "BMW X3” u sekuestrua në cilësinë e provës material, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.