'Portret' i Kosovës 2022: Barrikada, vrasje të grave, inflacion - Nga Astrit Veliqi

Nga Astrit Veliqi. 

Viti 2022 që shumë shpejt do ta lëmë pas, nuk do të harrohet lehtë as për Kosovën, e cila në vitin që po vjen do të festoj ditëlindjen e 15-të të saj.

15 vjet si moshë organike e njerëzore i bie ajo e moshës fëmijërore ose siç njihet ndryshe mosha e adoleshentëve.

Ndaj nëse flasim me gjuhën e metaforës, i bie që shteti i Kosovës ende është i ri, për të mos thënë “adoleshent”.

Në realitet, 15 vite shtet ose një dekadë e gjysmë janë bukur shumë për rrugëtimin e një shteti të ri, i cili çlirimin e ka fituar sot e 24 vjet.

Por rruga e Kosovës edhe pas kaq vitesh po sfidohet jashtëzakonisht shumë, si në territor, sovranitet ashtu edhe në subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Prandaj edhe ky vit, si kudo tjetër, pas agresionit rus mbi Ukrainën edhe shtetin tonë, jo vetëm e ka sfiduar, por edhe e ka zbehur, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, të integrimit, mirëqenies, shëndetit, arsimit e drejtësisë.

Bilanci i gjithë këtij rrugëtimi do të portretizohej me super-sfidën e Dialogut me fqinjin tonë verior Serbinë, që sa bën hapa përpara, kthehet në pikën zero.

Po ashtu do të mbahet mend Veriu dhe barrikadimi i tij nga bandat kriminale serbo-ruse, të cilat me metodat e vjetra shoveniste të bllokimit të rrugëve të dirigjuara nga Beogradi po tregojnë fytyrën e tyre kriminale e fashiste.

E pikërisht kjo pjesë e Veriut po e sfidon seriozisht shtetin e Kosovës ku që nga paslufta ka mbetur si një bombë e kurdisur, ku tani së fundi, serbët pothuajse i braktisën institucionet qendrore e vendore, duke zgjedhur si front të tyre rrugën, maskat dhe terrin.

Prandaj 2022-ta do të kujtohet si vit i barrikadave, i bandave kriminale serbe, i “shok-bombave”, madje edhe i sulmeve ndaj policëve dhe qytetarëve të pambrojtur.

Kurse në planin politik, vendi po udhëhiqet nga një shumicë parlamentare me kryeministër Albin Kurtin; për qeverisjen e tij normalisht pritjet e qytetarëve kanë qenë të mëdha.

Por përkundër portretizimit të qeverisjes me duar të pastra e pa korrupsion, edhe ky pushtet i shpresës është sfiduar nga nepotizmi, militantizmi sikurse edhe nga politizimi i skajshëm i administratës shtetërore, i bordeve dhe kompanive publike.

Ekzekutivi ka ndarë disa herë mjete financiare në vlera monetare për kategori të rrezikuara të shoqërisë, për përballimin e krizës ekonomike, që ky vit pa mëdyshje e ka thyer rekordin e inflacionit.

Viti që do të lëmë pas do të kujtohet si viti i krizave të jashtëzakonshme ekonomike, duke përjetuar rritjen jonormale të artikujve bazikë për jetën e kosovarëve.

Nuk duhet harruar edhe “telenovela me vizat”, e cila ka vazhduar edhe sivjet, por që si lajm i mirë konsiderohet deri tani, drita jeshile për këtë proces maratonë, që kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm vetëm në fillim të vitit 2024.

Në politikën e jashtme, Kosova ka ndalur në shumë procese, ku sidomos njohjet e reja të vendit janë harruar fare, sikurse ka vazhduar avazi i vjetër i politizimit të skajshëm të korit diplomatik kudo në botë.

Ky vit po përmbyllet edhe me gjendjen më të keqe në shëndetësi ku së fundi është rikthyer një ministër që s'është karakterizuar për lavde të mira në periudhën më kritike të Covid-19.

Sikurse, edhe si viti i dhunës rekord në familje, ku sidomos vrasjet e grave nga burrat e kanë tronditur shtetin e brishtë të Kosovës, duke u bërë shpesh edhe si kryelajm në mediet botërore.

Krejt në fund, ky vit do të mbahet mend edhe për polarizimin e skajshëm të kauzave shpesh jetike për kosovarët, ku deputetët e mazhorancës me arrogancën e numrave shpesh janë tallur përballë atyre të opozitës - një opozitë e rrjeteve sociale, krejt e pafuqishme përballë një shumice, në shumë raste pa objektivitet.

E Viti i Ri që po vjen, do të jetë vendimtar për shumë procese, sikundër është finalja me Serbinë dhe shumë sfida, por domosdo, edhe vendime të paparashikueshme.

Dhe për në ... Shëndet e gëzuar vitin 2023!