Andi Mustafaj: Vendi ka rrëshkitur në autokraci! 'Brain Gain’, nisma për të rinjtë në Partinë Demokratike

Drejtuesi i Departamentit 'Brain Gain' në Partinë Demokratike, Andi Mustafaj, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv takimin e djeshëm mes kryedemokratit Sali Berisha me të rinjtë ekselentë.

Andi Mustafaj tha se në takimin e parë u mblodhën një grup të rinjsh ndërsa shtoi se kanë iniciuar disa projekte. Sipas tij, të rinjtë duhet të bëhen pjesë e politikës shqiptare dhe në veçanti Partisë Demokratike, një parti e cila lufton për një Shqipëri pro-europiane.

"Kemi prezantuar prioritetet tona për vitin 2023. Të rinjtë duhet t'i qasen politikës në Shqipëri, situata është e vështirë. Politika është ajo që mund t'i ndryshojë gjërat.

E dimë që vendi ka rrëshkitur në një autokraci gjithnjë e më të madhe. Të rinjtë duhet të kuptojnë që në politike dhe në vendin e tyre mund të ndryshojnë gjërat.

PD është partia më e madhe opozitare dhe partia që ka treguar se është partia e lirisë dhe partia e cila synon të sjellë një zhvillim të Shqipërisë pro-europiane, të një Shqipërie me një mirëqenie ekonomike.

Besoj se të rinjtë duhet të shkojnë drejt politikës, drejt PD-së, për këtë kemi krijuar këtë departament që ka një nismë brenda tij që quhet një hapësirë për çdo demokrat."-tha Mustafaj.