Michael Schumacher: Bëhen 9 vite nga aksidenti, misteri i shëndetit të tij

Michael Schumacher, shtatë herë kampioni i Formula 1, më 29 dhejtor, shënoi përvjetorin e nëntë  që nga aksidenti që e la të shtrirë në shtrat, teksa gjendja e tij shëndetësore vazhdon të menaxhohet me shumë kujdes nga familja e tij.

Schumacher pësoi një aksident gjatë skijimit. Ai goditi një gur dhe pësoi dëmtime të rënda në kokë.

Që prej atij aksidenti të tmerrshëm Schumacher mbetet në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa nuk është parë asnjëherë në publik. Informacionet rreth gjendjes së tij të saktë shëndetësore janë shumë të kufizuara, pasi familja e tij ka kërkuar gjithmonë të ruajë privatësinë e pilotit që bëri histori duke fituar shtatë kampionate botërore në Formula 1, duke e çuar Ferrarin në epokën më të lavdishme.

Është një ironi mizore që Schumacher nuk pësoi dëmtimin e tij të rëndë në një pistë F1, por në një aksident të dhimbshëm në një kohë kur ndodhej me pushime në Alpet Franceze.

Asokohe ai ishte 44 vjeç, ndërsa tashmë është 53 vjeç, ndërsa më 9 janar do të mbushë 54. Gruaja e tij Corina dhe fëmijët Mike e Jina flasin herë pas here për Michael, duke treguar lidhjen e tyre emocionale me të, por pa dhënë asnjëherë detaje për gjendjen shëndetësore të ish-pilotit.

Vetëm disa muaj më parë u shfaq edhe një dokumentar në “Netflix” kushtuar Michael Schumacher, teksa bashkëshortja, Corina, tepër e emocionuar shprehej: “Më mungon Michael çdo ditë. Por nuk më mungon vetëm mua, u mungon fëmijëve, babait të tij, të gjithë familjes dhe njerëzve rreth tij. Dua t’u them të gjithë atyre që u mungon Michael, se ai është këtu. Edhe pse ndryshe, ai është këtu dhe kjo na jep forcë. Ne përpiqemi të mbajmë një familje ashtu siç i pëlqente Michael. ‘Privatësia është privatësi’, siç thoshte ai vetë gjithmonë. Për mua është shumë e rëndësishme që ai të vazhdojë ta shijojë sa më shumë jetën e tij private. Michael gjithmonë na ka mbrojtur në këtë gjë, dhe tani ne po e mbrojmë atë”, deklaronte Corina.