Kremlini: Putin s'do t'i dërgojë urime për Vitin e Ri Bidenit, Macronit dhe Olaf Scholzit

Mes një krize mes Moskës dhe Perëndimit pas nisjes së luftës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin nuk do t'u dërgojë urime për Vitin e Ri presidentëve amerikanë Joe Biden dhe presidentit francez Emmanuel Macron, si dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz , bzuar në njoftimin zyrtar nga Kremlini.

"Këta homologë nuk na dërgojnë urime. Në fakt, ne nuk kemi asnjë kontakt me ta. Dhe duke pasur parasysh veprimet armiqësore që ata po ndërmarrin vazhdimisht, presidenti nuk do t'u dërgojë atyre urime," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Putini tashmë ua ka dërguar urimet e tij për vitin 2023 disa liderëve më afër Kremlinit.

Sipas një liste të publikuar sot nga presidenca ruse, Vladimir Putin u ka dërguar urime për një vit të ri kryesisht: Presidentit të Kinës Xi Jinping, Recep Tayyip Erdogan të Turqisë, Bashar al-Assad të Sirisë, Nicolas Maduro të Venezuelës, si dhe kryeministrit të Indisë Narendra Modi.

Sipas Kremlinit, kreu i shtetit rus u dërgoi gjithashtu urimet e Vitit të Ri dy ish-liderëve perëndimorë, italianit Silvio Berlusconi dhe gjermanit Gerhard Schroeder.