SYRI TV/ Sulmohet me tritol banesa e policit në Shkodër, dyshohet për shkak të detyrës

Sulmohet me tritol banesa e një efektivi policie në Shkodër. Rreth orës 2 të mëngjesit banesa e policit të patrullës, Valter Serrajt, është hedhur në erë me tritol. Për pasojë janë shkaktuar dëme në banesën e efektivit dhe është shkatërruar plotësisht makina e cila ndodhej në oborrin e banesës së Serrajt. Ky i fundit deklaron se nuk ka konflikte. Policia po heton pistën për shkak të detyrës që ai mban.

Nga SYRI TV

Një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e një punonjësi policie në Bardhaj të Shkodrës, por fatmirësisht ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 dhe në atë moment, punonjësi i patrullës së përgjithshme të komisariatit ishte i vetëm në banesë.

Nga shpërthimi i kallëpit të tritolit sipas Policisë së Shkodrës  është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të policit Valter Serra dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar kolegë të policit të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit dhe më pas kanë nisur verifikimet, duke marrë edhe dëshminë e tij.

Ky i fundit para oficerëve të policisë gjyqësore ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri si dhe kërkon që të zbardhet e gjithë ngjarja.

Dyshimet e para janë që shpërthimi të ketë ndodhur për shkak të detyrës që mban Serra, por kjo është në kuadër të dyshimeve, pasi grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje duhet të hetojë edhe një tjetër pistë atë për arsye personale. 

Ndërkohë që mësohet se do të sekuestrohen edhe kamerat e sigurisë që ndodhen në rrugë apo edhe pranë bizneseve që të çojnë drejt shtëpisë së policit për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.

Nga hetimet paraprake mësohet se autorët kanë qenë duke lëvizur me një automjet kur lëndën plasëse e kanë hedhur brenda në oborr.

Nuk është hera e parë që në këtë zonë të regjistrohen ngjarje të rënda, si shpërthime apo krime të tjera