Berisha: Ky ishte viti i shkatërrimit të drejtësisë, negociatat janë pezull sepse Rama zgjodhi krimin

Kryetari demokrat, Sali Berisha tha se viti 2022 ishte viti i shkatërrimit përfundimtar të drejtësisë.

“Viti që lamë pas është viti i shkatërrimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë. Reforma e Sorosit përfundoi sipas sondazheve të pavarura në institucionin më të pabesueshëm se çdo institucion i këtij vendi. Ai që ishte parashikuar të ishte institucioni i akuzës për zyrtarët e lartë, i quajtur SPAK apo Prokurori e Posaçme, u transformua në SKAP-in e partisë.

Tre muaj më parë, në një poll krejtësisht të pavarur, dilte vetëm se 10.4 përqind e shqiptarëve besonin se SKAP-i i partisë është i pavarur politikisht, përkundrejt 59.6 përqind që e quanin tërësisht të varur nga partia.

Pas betejës së fundit, Rama-guvernatorja Kim, edhe ky 10-përqindësh mendoj se merr fund. Kështu që sot nuk ka shqiptar se beson më ndryshe, veçse e sheh SKAP-in si një institucion, seksion të partisë së krimit,” tha Berisha.

Kryetari demokrat tha se edhe hapja e negociatave me BE-në ka mbetur pezull pasi Rama ka zgjedhur krimin.

“Viti që lamë pas kishte një zhvillim për të cilin shqiptarët pritën 8 vite. Ky zhvillim ishte hapja e negociatave. Por, ndonëse konferenca që simbolizon vendimin e hapjes, u hap, negociatat janë on-hold. Kjo vetëm e vetëm se Edi Rama, mes rrugës evropiane për Shqipërinë dhe rrugës së krimit, jep dëshmi të sigurta se qëndron për të dytën.

Dëshmi flagrante e kësaj është përpjekja e tij për të kaluar ligjin e amnistisë fiskale. Dëshmi e kësaj janë pasaportat e arta. Janë deklaratat e tij nga samiti në samit, se mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar nga Serbia, është një gjë pozitive, se asaj nuk i duhet kërkuar respektimi i sanksioneve ndaj Rusisë.

Pra, një akti historik të BE-së, për të dëshmuar perspektivën evropiane të Shqipërisë, Edi Rama i kundërpërgjigjet në një mënyrë antieuropiane, që bie në kundërshtim flagrant me interesat kombëtare të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre,” tha Berisha.