Berisha: Yuri Kim bëri gjithçka të paligjshme kundër opozitës shqiptare

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në konferencën e fundvitit se ky ishte viti kur në vend u vendos plotësisht monizmi.

Berisha tha se opozita u përball me dhunë, por iu përgjigj asaj me votën e lirë. Sipas tij, përpjekjeve anti-opozitare të qeverisë iu bashkuan edhe diplomatët e korruptuar nga qeveria më e korruptuar në vend.

“Në këtë përpjekje, do të nxijë në historinë e turpit, qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila, pasi në një akt madhor korruptiv, kishte mashtruar qeverinë e saj për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës, kryetarin e saj.

Përdori, abuzoi dhe shpërdoroi, duke shkelur çdo ligj të këtij vendi dhe vendit të vet, çdo konventë ndërkombëtare, çdo parim.

Përdori fuqinë e vendit të saj, për t’i diktuar opozitës kryetarin. Por ky është viti i opozitës, sepse asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve.

Ata u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, armikut të egër të PD-së, u ngritën kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri, që përdorën krimin e organizuar për të luftuar antikrimin në Shqipëri.

Pavarësisht se ata përfaqësonin shtetet më të admiruara nga shqiptarët, SHBA dhe Britaninë. Opozitarët shqiptarë qëndruan dhe këtë vit u faktuan kombit dhe botës se Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë,” tha Berisha.