OKB kritikon Mbretërinë e Bashkuar: Të rimendojë dëbimin e azilkërkuesve

Shefi i ri i OKB-së për të drejtat e njeriut Volker Türk ka kritikuar skemën që ai e konsideron problematike nga pikëpamja etike dhe beson se qeveria britanike duhet ta rimendojë dërgimin e emigrantëve në Ruandë.

Shefi i ri i OKB-së për të drejtat e njeriut i ka kërkuar qeverisë britanike të rishqyrtojë planet e saj për të deportuar azilkërkuesit në Ruandë, duke paralajmëruar se në të kaluarën skema të ngjashme kishin çuar në keqtrajtim të emigrantëve.

Volker Türk gjithashtu hodhi poshtë përshkrimin e kryeministrit Rishi Sunak për marrëveshjen prej 140 milion paundësh si të drejtë, duke thënë se përveç se ishte problematike ligjërisht dhe etikisht, ajo ishte gjithashtu “shumë e kushtueshme ” dhe nuk ka gjasa të funksionojë.

“Ju nuk mund t’i kaloni përgjegjësitë tuaja ndaj një shteti tjetër në mënyrën që është parashikuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar”, tha Türk.

“Kjo ngre shqetësime shumë serioze, si nga këndvështrimi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut ashtu edhe nga këndvështrimi i ligjit ndërkombëtar për refugjatët.”

Gjykata e Lartë britanike vendosi në fillim të dhjetorit se plani i konservatorëve për të dërguar emigrantët në Ruandë ishte i ligjshëm, duke hedhur poshtë një kërkesë nga azilkërkuesit, organizatat bamirëse dhe një sindikatë e zyrtarëve kufitarë për ta ndaluar atë.